Transmetuar më 23-12-2021, 09:01

Ningxia, Fabrika e kthimit të qymyrit në lëng arrin kapacitetin e plotë

Një projekt që konverton qymyrin në naftë në Rajonin Autonom Ningxia Hui të Kinës veriperëndimore prodhoi 4.05 milionë tonë produkte këtë vit, sipas zhvilluesit.

Kjo shënoi herën e parë që fabrika kishte arritur kapacitetin e saj të prodhimit vjetor të projektuar prej 4 milionë tonësh që kur u funksionalizua plotësisht në 2017-n, njoftoi “Ningxia Coal Industry Group Co., Ltd” nën pronësinë shtetërore “China Energy”.

Me një investim total prej 55 miliardë juanësh (rreth 8.6 miliardë dollarë amerikanë), projekti filloi ndërtimin në shtator 2013 dhe shkalla e lokalizimit të tij ka arritur në 98.5 për qind, bën të ditur “Xinhua”.

Sipas kompanisë, ajo ka lançuar 559 inovacione kryesore teknologjike në vitet e fundit dhe ka investuar 7 miliardë juanë në mbrojtjen e mjedisit për të zgjidhur në mënyrë efektive problemet si trajtimi i ujërave të zeza dhe shkarkimi i mbetjeve të ngurta.

"Një projekt i tillë qymyri në lëng ka një rëndësi të madhe në trajtimin e mungesës së burimeve të naftës dhe gazit të Kinës dhe balancimin e strukturës energjetike të vendit. Ai gjithashtu mund të kontribuojë në sigurinë kombëtare të energjisë dhe zhvillimin ekonomik", -tha Wen Bao, sekretar i partisë së një nënkompanie të “Ningxia Coal Industry Group” drejtpërsëdrejti përgjegjëse për projektin.