Transmetuar më 21-12-2021, 19:33

Një shqiptar do të jetë kryeministër në Malin e Zi!

Mediat serbe kanë “zbuluar” planin e fundit amerikan në Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit është ardhja në postin e kryeministrit të Malit të Zi të një shqiptari.

Plani ëshë zbuluar nga Kurir, B92, Danas dhe portale të tjera serbe që shkruajnë se amerikanët “duan një kryeministër properëndimor në Podgoricë dhe këtë ua garanton vetëm një emër shqiptar në krye të qeverisë së Malit të Zi”.

Shqiptarët përfaqësohen në qeverinë aktuale si pjesë e lëvizjes URA, të drejtuar nga Dritan Abazoviç. Kjo lëvizje aktualisht mbështet qeverinë e drejtuar nga partitë serbe të Malit të Zi.

Por, mediat serbe, duke u frymëzuar nga një deklaratë e Ilir Harasanit, anëtar Këshillit Qendror të kësaj lëvizjeje paralajmërojnë se qeveria aktuale i ka ditët e numëruara. Sipas tyre, Harasani është duke udhëhequr një lëvizje për krijimin e një qeverie të re me kryeministër shqiptar.

Mediat serbe shkruajnë se kjo strategji mbështetet edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i bindur se kjo do t’i jepte fund rolit destabilizues të partisë serbe, Fronti Demokratik.