Transmetuar më 10-12-2021, 09:50

Kina ka arritur të prodhojë çdo ditë më shumë se 1 milionë e 650 mijë tonë ujë të ëmbël përmes 135 impianteve që ka ngritur për shkripëzimin e ujit të detit.

Një raport vjetor i Ministrit të Burimeve Natyrore që citon noa.al, evidenton se kjo po bëhet e mundur pasi në vitin 2020 u përfunduan 14 projekte të reja shkripëzimi.

Në total janë 135 impiante të cilat janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme bregdetare dhe zona që përballen me mungesë të madhe uji, raporton “Xinhua”.

Nga këto, 40 impiante kanë kapacitet për të prodhuar 10.000 tonë ose më shumë ujë të freskët në ditë.

Ky ujë i përftuar përdoret kryesisht për industri me intensitet të lartë uji si prodhimi i energjisë elektrike, petrokimikatet dhe çeliku, si dhe për konsum të brendshëm në zonat ishullore dhe qytetet bregdetare, duke përfshirë Qingdaon.

Sipas raportit, Kina përdori 169.81 miliardë tonë ujë deti si ftohës në prodhimin e energjisë bërthamore dhe termike, në industrinë e çelikut dhe petrokimike në vitin 2020, një rritje prej 21.2 miliardë tonësh nga 2019-a.