Transmetuar më 03-12-2021, 08:25

Pothuajse 65% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se sëmundja Covid-19 është krijuar në një laborator për kontroll njerëzor dhe 44% pajtohen se numri i pacientëve me Covid-19 është rritur për shkak se janë dhënë para për regjistrimin e personave që dyshohet se vdesin nga kjo sëmundje.

46% e të anketuarve besojnë se viruset dhe toksinat e ndryshme spërkaten nga aeroplanët.

Këto janë gjetjet e sondazhit "Njeriu i Popullit: Analiza e Opinionit Publik mbi Kërkesat Politike të Qytetarëve" të kryer nga Instituti Societas Civilis për Demokraci (IDSCS) në bashkëpunim me Qendrën Presidenciale për Edukim Politik (PCPO).

Misa Popoviq, shef i qendrës dhe hulumtues i lartë në Institutin për Demokraci “Societas Civilis”, në një prezantim të gjetjeve tha se sipas sondazheve ka një pranim të lartë të teorive të konspiracionit nga qytetarët.

72% e qytetarëve besojnë se bota kontrollohet nga disa familje të fuqishme, pra se në disa samite sekrete në disa kështjella të Europës vendoset se si do të ecë historia, kush do të vijë në pushtet, etj.

Gjithashtu, 46% e të anketuarve pajtohen se klima kontrollohet nga satelitë ose radarë të caktuar.

Anketa thotë se 29% e të anketuarve besojnë se nuk ka ndryshim klimatik dhe 57% besojnë se mediat kryesore po përhapin gënjeshtra.