Transmetuar më 02-12-2021, 20:41

Politika gjermane për Evropën po ndryshon rrënjësisht dhe qeveria e re që pritet të shpallet këto ditë, ka vendosur që të promovojë themelimin e Federatës Evropiane duke bërl kështu një ndryshim thelbësor të atij që quhet Bashkimi Evropian, raporton noa.al duke cituar Euractiv.

Socialdemokratët, të Gjelbrit dhe Liberalët e FDP-së njoftuan se koalicioni mes tre partive, “Feneri”, siç quhet në shtypin gjerman, do të nxisë zhvillimin e një Federate të Integruar Evropiane.

Sipas axhendës së paraqitur të mërkurën, koalicioni dëshiron të përdorë Konferencën e afërt për të Ardhmen e Evropës si një pikënisje për reformën e thellë të BE-së dhe kalimin në një Federatë Evropiane.

"Konferenca duhet të çojë në një proces kushtetues dhe përfundimisht në një shtet federal evropian," thuhet në dokument.

"Një Evropë sovrane është çelësi i politikës sonë të jashtme," tha Olaf Solz, i cili ka pritet të betohet si Kancelar në javën e dytë të dhjetorit.

"Si një vend ekonomikisht më i fortë dhe më i populluar në zemër të Evropës, misioni ynë është ta bëjmë të mundur, të promovojmë një Evropë sovrane," shtoi ai.

Koalicioni qeverisës gjerman planifikon gjithashtu të forcojë Parlamentin Evropian, duke i dhënë të drejtën për të nxjerrë ligje, një privilegj që aktualisht mbahet vetëm nga Komisioni Evropian.

Udo Bulman, i cili drejtoi negociatat për çështjet evropiane të koalicionit të SPD, tha se plani është një sinjal i fortë sesi të tre partitë duan të zhvillojnë më tej të ardhmen e Evropës.

“Duhen hapa të mëtejshëm, pasi “kohët e kërkojnë” dhe “qytetarët po e presin atë”, tha Bullman.

Edhe pse rruga është ende e gjatë dhe e vështirë për të gjitha Shtetet Anëtare për të rënë dakord për nisjen e një procesi themelor për Evropën, koalicioni gjithashtu dëshiron të përdorë potencialin e proceseve ekzistuese.

Deri më tani, Këshilli – i përbërë nga ministrat e Shteteve Anëtare të BE-së – shpesh vendos me konsensus, edhe nëse kushtet lejojnë një shumicë të cilësuar votash.

Në fushat ku kjo tashmë është e mundur, "ne duam të përdorim shumicën e cilësuar në Këshill," tha Bullman. Kjo do të sillte shpërfilljen e vetos si në rastin më të fundit të Bullgarisë që bllokoi çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një tjetër temë e nxehtë në marrëveshjen e koalicionit gjerman është largimi nga qasja komprometuese e kancelares aktuale Angela Merkel ndaj shkeljes së shtetit ligjor në Hungari dhe Poloni.

Koalicioni i ardhshëm ka vendosur t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian që të përdorë instrumentet ekzistuese të shtetit të së drejtës në një mënyrë më të shpejtë dhe më rigoroze.

Nicolas Bier, që bashkë-negocioi në emër të FDP, kapitullin e programit të qeverisë për Evropën, theksoi se "të gjithë ata që i janë bashkuar klubit Evropian kanë nënshkruar për t’iu përmbajtur rregullave të tij dhe kjo përfshin patjetër pavarësinë e gjyqësorit".

Kjo do të zbatohet edhe për fondin e rimëkëmbjes së pandemisë, pasi koalicioni ka vendosur të lidhë pagesat me sundimin e ligjit.

Nëse "gabimet e sundimit të ligjit" nuk trajtohen në mënyrë adekuate, atëherë Polonia nuk duhet të marrë para nga Fondi i Rimëkëmbjes, tha Bier.

Sakaq, qeveria gjermane do të adoptojë një qasje të dyfishtë ndaj Polonisë, pasi do të merret në mënyrë më strikte me sundimin e ligjit, ndërsa në të njëjtën kohë do të intensifikojë marrëdhëniet në fusha të tjera, siç është imigracioni. /noa.al