Transmetuar më 28-11-2021, 13:09

Ka nisur zyrtarish puna për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, projekt ky që do të realizohet nga biznesmeni kosovar Nehgjet Pacolli.

I pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet atyre qytetarëve që thonë ‘nuk kemi bukë të hamë, ç’na duhen aeroportet’.

Sipas Ramës, aeroportet apo portet dhe projekte të tjera të këtij lloji janë fabrika buke dhe motorë të fuqishëm ekonomikë që rrisin buxhetin e shtetit.

Edhe njëherë tjetër, Rama ka nisur të numërojë portet dhe aeroportet që do të ndërtojë, si aeroporti i Vlorës dhe i Sarandës apo Portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhë Shëngjinit, duke premtuar se shpreson që puna për këto projekte të përfundojë brenda këtij mandati.

Në fund Rama e ka mbyllur me një batutë me vlonjatët. Kryeministri u shpreh se ‘kur thua Gjirokastër i ke thënë të tëra, kur thua Vlorë nuk ke më ç’thua’. Ai theksoi me ironi se nëse do ishte ditë me diell vlonjatët do të ishin në takim por sot që është shi po ndjekin nga TV dhe së shpejti do ta pyesin a do jetë gati aeroporti javës tjetër.

Fjala e Ramës

Të gjithë ata që pysin ç’i duhen Shqipërisë gjithë ata aeroporti, i them se numri i aeroporteve lidhet me kapacitetin e aksesueshmërisë që një vend i jep atyre që vijnë kur ky vend e ka turizmin prioritet kryesor. Nga ana tjetër duhet të informohen se aeroportet nuk janë parkingje makinash dhe nuk janë as stacione ku venë e vijnë njerëz që thjesht kryejnë nevojat për transport. Ato janë motorë të jashtëzakonshme zhvillimi. Atyre që kanë atë inercinë e avazit ‘populli s’ka bukë, ç’na duhen aeroportet’, unë dua ta përsëris dhe këtu, çështja e bukës shqiptarët nuk e kanë pasur problem që nga koha e Skëndërbeut. Aeroportet janë fabrika buke sepse rrisin të ardhurat e vendit. Sa më shumë njerëz vijnë në vend nëpërmjet aeroporteve, aq më shumë vendi ka mundësi të rrisë shërbimet e më pas prodhimet sepse krijohet një zinxhir vlerash që i mbeten vendit. Turistët që vijnë janë konsumatorë. Të gjithë turistët janë të mirëseardhur. Por tjetër është turisti që konsumon pak dhe tjetër ai që konsumon shumë. Nga konsumi shumë përfiton sipërmarrja në vend. Kështu rritet buxheti i vendit. Investimet mbarohen duke pasur shumë të ardhura në dispozicion. Të ardhurat rriten nëpërmjet veprimtarive të tjera. Nuk duhet të shqetësohemi kur ndërtohen aeroporte, porte, sepse të gjitha këto janë motorë të ekonomisë. Ne fillimin e kësaj pune dhe fillimin e punës për Sarandën, ne vendosim sistem të ri motorësh në Shqipëri. Në aeroportin e Tiranës po shihet qartazi ulja drastike e çmimit të biletave. Nis së shpejti plani i ri i investimeve për terminalin e dytë, për zgjatimin e pistës për të rritur kapacitet pritëse të vendit. Ne të fokusohemi për të filluar së shpejti investimin e portit turistik në Vlorë që do të jetë kantier para vitit të ri. Triporti që do të bëjë spostimin e të gjithë aktivitetit tregtar të Portit të Vlorës në një infrastrukturëe moderne , ku do të spostohen dhe anijet e peshkimit; portin e Durrësit që do të sjellë transformim të jashtëzakonshëm ekonomik; Portin e ri tregtar të Durrësit, sepse do të ndërtojmë një port të ri tregtar. Punojmë dhe për Portin egzistues të Sarandës dhe Shëngjinit. Një pjesë të madhe do t’i shikojmë brenda këtij mandati të tretë. Kam shumë dëshirë të besoj që gjithë ky shi paralajmëron bereqet për Vlorën e të nesërmes. Jo se dua ta besoj por e besoj me gjithë forcën e zemrës, ky aeroport është vepër historike për Shqipërinë dhe Kosovën dhe për gjithë shqiptarët. Dua t’i uroj fat në punë sepse edhe fati i duhet, pasi siç thashe, na u vonua fillimi i këtij projekti. Uroj fat, sukses dhe të eci puna vaj. Po të ishte ditë me diell vlonjtatët do të ishin këtu me mijëra mbase. Nuk ka rëndësi, na vunë në punë dhe na shohin nga tv. Unë jam i bindur se sot në darkë do të filloj të marr mesazhet e para da do të hapet aeroporti javën tjetër. Është normale se kësaj i thonë Vlorë, siç thotë ajo kënga që unë kam mësuar ta këndoj me vete, që nëse kur thua Gjirokastër i ke thënë të tëra, kur thua Vlorë s’ke më ç’thua.