Transmetuar më 23-11-2021, 12:37

Një gomë që plasi duke plagosur anëtarët e një familjeje, pasoi shtatë vjet më parë vrasjen e gomistit nga një agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Sot, autori i vrasjes bëri një përpjekje të fundit për t’i shpëtuar policisë, por u kap dhe u dërgua në qeli.

Operacioni që shihni në videon që ju sjell noa.al u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, me mision për kapjen e personave të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes së 51 vjeçarit Xhevahir Mzhika,  një person i shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas u kap në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 10 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe "Armëmbajtje pa leje”.

51-vjeçari është autori i ngjarjes së ndodhur më datë 16 gusht 2014, tek isha Fusha e Aviacionit, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Florian Selmanin.

Në vendimin e gjykatës përshkruhet edhe motivi i vrasjes që ka pasur të bënte me një gomë makine, që autori i ngjarjes e kishte riparuar e ndërruar te servisi i viktimës. Kjo gomë e vendosur në aksin e pasmë të makinës së agjentit të SHISH në kohën kur ndodhi krimi kishte plasur gjatë kthimit nga Gjiri i Lalzit, kur i akuzuari kishte gjithë familjen në makinë.

Sipas Gjykatës, Florian Selmani dhe vëllai i tij kanë pasur në pronësi një servis automjetesh pranë ish-Fushës së Aviacionit. Xhevahir Mzhika është me banim në të njëjtën lagje dhe ka qenë klient i këtij servisi.

Servisi ku ndodhi ngjarja

Në fillim të muajit gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka shkuar te servisi dhe ka ndërruar një gomë të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa AA… Në datën 15 gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka qenë duke udhëtuar me familjen e tij në autostradën Durrës-Tiranë, por gjatë rrugës i ka pësuar defekt goma e ndërruar te servisi. Në vendimin e gjykatës thuhet se nga ky defekt është rrezikuar jeta e tij dhe e familjarëve që ishin në automjet. Xhevahir Mzhika është revoltuar nga kjo ngjarje.

Për këtë arsye të nesërmen, në datën 16 gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka shkuar te servisi ku ishin duke punuar dy vëllezërit për t’iu kërkuar llogari, për shkak se nuk ishin treguar të kujdesshëm kur i kishin ndërruar gomën e automjetit. Mes tyre ka nisur një konflikt lidhur me gomën e ndërruar disa ditë më parë, konflikt i cili ka vijuar me përleshje fizike midis tyre, derisa kanë ndërhyrë për t’i ndarë disa persona të pranishëm.

Gjatë përleshjes, Xhevahir Mzhikës i ka rënë në tokë një çantë e zezë, të cilën e mbante të hedhur krahëqafë. Duke u larguar për nga porta e servisit, ai është ulur, ka marrë çantën, ka nxjerrë prej saj një pistoletë të vogël me ngjyrë gri, me të cilën ka qëlluar një herë drejt viktimës Florian Selmani. Ai ka shtënë nga një distancë e afërt në pjesën e majtë të kraharorit.

Viktima ka vazhduar të ecë pak metra dhe më pas është rrëzuar, duke humbur ndjenjat për shkak të gjakderdhjes. Ai është shoqëruar menjëherë për në spital nga vëllai i tij, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së marrë. Nga ana tjetër, pasi ka qëlluar me armë, Xhevahir Mzhika është larguar menjëherë dhe që nga ajo ditë nuk është gjetur më, me gjithë kërkimet e bëra nga policia.

Vëllai i autorit të krimit, por edhe bashkëshortja e ish-agjentit të SHISH kanë thënë se nuk kanë pasur dijeni për ngjarjen, derisa kanë marrë vesh nga media për vrasjen dhe më pas autorësinë e saj. Një prej familjarëve të të dënuarit ka thënë se e ka takuar Xhevahir Mzhikën tri orë pas ngjarjes dhe ai ka qenë i plagosur keq me shenja në trup dhe në kokë si pasojë e përleshjes së ndodhur në servisin ku kishte ndodhur vrasja.