Transmetuar më 18-11-2021, 20:16

Vala e re e Covid ka bërë që Greqia të ashpërsojë kufizimet ndaj personave të pavaksinuar, duke u ndaluar hapësirat publike. Njoftimi është dhënë përmes një mesazhi televiziv nga vetë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Nga e hëna e ardhshme, të gjithë qytetarët e rritur të pavaksinuar, përveç hotelierisë nuk do të hyjnë në ambiente të mbyllura, as me testet negative, as në kinema, as në teatro, muze, apo palestra. Është një masë mbrojtëse e menjëhershme dhe sigurisht një nxitje indirekte për t’u vaksinuar”, tha Kryeministri grek. Edhe për të hyrë në kisha duhet që besimtarët tashmë të tregojnë testin negativ.

Mes masave është edhe vaksinimi i detyrueshëm çdo gjashtë muaj për qytetarët mbi 60 vjeç.

“575 mijë bashkëqytetarë mbi moshën 60 vjeç mbeten të pambrojtur dhe ne e dimë se ata goditen më rëndë nga virusi. Ndërsa gati 1.5 milionë të të njëjtit grup plotësuan 6 muaj nga vaksinimi i tyre. Edhe pse të mbrojtur, ata bëhen më të prekshem, pasi kanë më pak antitrupa”, tha Mitsotakis.

Kreu i Qeverisë greke ka njoftuar ndryshime në oraret zyrtare të punës, në mënyrë që të mos ketë përqëndrim të madh njerëzish në ambientet e punës, por edhe në mjetet e shërbimit urban.

Greqia ka regjistruar në 24 orët e fundit mbi 7000 raste të reja, 556 është numri i personave të intubuar dhe 63 humbje jete që e kanë çuar në total numrin e viktimave nga koronavirusi në 17075