Transmetuar më 16-11-2021, 18:21

"Miqësi që tret largësinë", dokumentar i RTSH në bashkëpunim me CMG

Një dokumentar që hedh dritë mbi marrëdhëniet shqiptaro-kineze është prodhuar për publikun e dy vendeve nga një bashkëpunim i Radio Televizionit Shqiptar dhe China Media Group.

"Miqësi që tret largësinë" është dokumentari që është transmetuar të hënën.

Ai vjen në 50 vjetorin e pranimit të Kinës në OKB, dhe ndalet në këtë moment historik dhe kontributin e Shqipërisë në të.

Përmes pamjeve të kohës, intervistave dhe fakteve, dokumentari ka sjelle në vëmendje gjithë historinë e marrëdhënieve në të gjitha stinët politike.

Dokumentari "Miqësi që tret largesinë" jep një tabllo të zhvillimit të Kinës në të gjitha fushat dhe demonstron ndikimin pozitiv që pati për botën ripranimi ne OKB, por edhe për rolin që do të luajë Shqipëria e cila është anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022 – 2023.

Duke nënvizuar ridimensionimin e marrëdhënieve gjatë tre dekadave të pluralizmit, në dokumentar është veçuar roli në rritje i Kinës në nismat dhe qeverisjen globale, si dhe kontributi i saj i madh në misionet e OKB-së për paqen dhe marrëdhëniet midis vendeve.

Po ashtu, dokumentari nxjerr në pah iniciativat me karakter zhvillues ekonomik global si "Një brez, një rrugë" dhe "17+1", që nxisin multilaterizmin dhe zhvillimin e gjelbër, si dhe pasqyrojnë sfidën dhe kontributin e veçantë të Kinës në luftën ndaj pandemisë Covid 19, por edhe përpjekjen dhe arritjet domethënëse në zhdukjen e varfërisë.

Personalitete si Paskal Milo, Iljaz Spahiu, Aleksander Çipa, Marsela Musabelliu dhe Gjon Boriçi pasuruan dokumentarin me analizat e tyre.