Transmetuar më 30-09-2021, 16:23

Në Kosovë u konfirmuan të enjten edhe katër viktima nga koronavirusi. Ky është numri më i ulët që nga nisja e valës pandemike disa javë më parë.

Ulje drastike ka dhe për rastet e reja. Në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur për 45 raste të reja të të infektuarve, shifra më e ulët që nga qershori.

Rastet pozitive rezultuan pas testimit të 3,380 mostrave.

Në 24 orët e fundit, u shëruan 298 pacientë, ndërsa raste aktive mbeten 2,928.

Fushata e vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë ka nisur në fund të marsit.

Deri të enjten janë dhënë mbi 1.3 milion vaksina. Mbi 530,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht.

Aktualisht, në Kosovë janë në fuqi masat që kërkojnë dëshmi të vaksinimit ose test negativ të koronavirusit për të hyrë në objekte të gastronomisë, por edhe në institucionet publike dhe private që ka kontakt të administratës me qytetarët.