Transmetuar më 25-08-2021, 22:20

Zëvendëskryeministri aktual Erion Braçe ka paralajmëruar sot se po merr fund posti që mban prej disa vitesh.

Braçe pohon se "ka një fund" dhe pranon se Edi Rama nuk e do më atë në qeveri, pasi në shtator do të nisë punën kabineti i ri.

Por pse mori fund si Zëvendëskryeministër Erion Braçe?

E vërteta është se ai u vu në këtë post kur qeverinë e Ramës e kaplloi kriza me studentët më 2018.

Braçe u ngarkua të ishte në një farë mënyre, si rregullator apo mbikëqyrës i realizimit të paktit për universitetin dhe të plotësonte të gjitha kërkesat e studentëve për të cilat ishte angazhuar Rama.

Vitet që pasuan e kaluan këtë pakt në plan të dytë a të tretë, në mos më larg, pasi plasi tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e vitit 2020 që nuk po merr fund as më 2021.

Vëmendja e qeverisë nuk ishte më qendrore për studentët, ashtu siç u premtua kur nuk kishin të ndalur protestat e të rinjve.

Për më tepër, studentët kanë dy vjet që nuk bëjnë thuajse fare mësim. Qyteti Studenti vijon të jetë bosh dhe universitetet po ashtu.

Të gjitha këto, megjithatë nuk e kanë penguar Lëvizjen për Universitetin që të pohojë çdo ditë e më shumë se nga pakti për universitetet shumë pak u realizua.

Lëvizja Për Universitetin u krijua nga studentët kundër reformës privatizuese në universitetin publik. Në 7 vjet aktivizëm ajo mbajti gjallë frymën e rezistencës duke kundërshtuar sidomos financimin e universiteteve private me fonde publike dhe rritjen e përvitshme të tarifave studentore, si dhe kushtet e vështira të jetesës nëpër konvikte.

Lëvizja konstaton se ngelet ende shumë për të bërë. Ulja e tarifave përfitohet vetëm nga disa studentë; ligji i çalë vazhdon të ngelet në fuqi; universiteti vazhdon të ngelet larg të qenit vatër e dijes dhe e mendimit kritik. /noa.al