Transmetuar më 25-08-2021, 07:20

Ky është një reagim i KM që shpreh gjendjen e tij emocionale të përkeqësuar, ndërsa etiketimi fashist i disa kritikëve është turpërues. Rama duhet t’a kuptojë thelbin e demokracisë, e cila bazohet dhe funksionon në ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve.

Rama nuk mund të jetë në të njëjtën kohë Kryeminister, përgjegjës i zyrës së kulturës së Bashkisë Korçë dhe aq më pak zëdhënësi i policisë, që qartëson nëse kapsolla e hedhur në atë koncert është akt terrorist, thjesht një reagim spontan emocional apo një veprim i mirëstrukturuar dhe mirëorganizuar, i ushqyer nga mentalitetet fashiste që KM i paska zbuluar tek një pjesë e popullit të tij??

Një KM që etiketon fashistë kritikët e një aktiviteti kulturor të një bashkie, i cili nuk ka punë tjetër, por rri tërë ditën në rrjetet sociale dhe debaton për koncertin e Goranit, është shqetësim dhe kërcënim real në rritje për demokracinë dhe qeverisjen e vendit.

Në botë bëhen protesta që anulojnë dhjetra koncerte, konferenca, samite globale. Turmat e pashpresa dhe të irrituara dalin jashtë kontrollit, djegin dhe shkatërrojnë gjithçka, por asnjë KM nuk i etiketon fashistë apo nazistë, maksimumi i quajnë huliganë.

KM ynë i përzgjedh epitetet denigruese për gjithë të tjerët për të kapur titujt e mediave ndërkombëtare, edhe pse me vetëdije përçmon dhe denigron gjithë kritikët, popullin dhe vendin e tij.

AI synon të devijojë reagimin publik për dështimet e veta. Duke mos pasur në formimin e tij bazik asnjë qelizë shtet-formuese, AI shkatërroi funksionim demokratik në PS dhe në qeverisjen e vendit.

Zhduku çdo mendim alternativ, përndoqi çdo përfaqësues të mendimit ndryshe, i zëvendësoi individët me integritet në parti dhe qeveri me ministra dhe deputetë manikinë kokë-tundes e miratues për çdo përzgjedhje të tij spontane, personale, nepotike dhe korruptive.

AI i zvëndësoi ata me individë me CV dhe përkushtim kriminal. Dëshpërimi për dështimet e tij rrezikon dhe kërcënon më shume shqiptarët se sa ATE dhe të zgjedhurit e tij si  tek “Ferma e kafshëve” e Orwellit.

Për ta ndihmuar ATE që të kuptonte qeverisjen janë paguar nga donatorë dhe taksat e shqiptarëve më shumë fonde se sa për dizenjimin dhe implementimin e Planit Marshall për rindërtimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Popujt e përgjakur dhe të varfëruar deri në palcë të vendeve ndërluftuese në Europë e fituan luftën dhe realizuan projektin e suksesshëm të BE-së me vizion, sakrifica dhe përkushtimin që as NETFLIX nuk i pasqyron dot në emocionin njerëzor që BE u ndërtua dhe u rrit si blloku ekonomik ndër më të mëdhenjtë në ekonominë globale dhe nga më të zhvilluarit sot në botë.

Policia deklaron se ne Korçë ndodhi thjesht nje incident me një kapsolle, nuk pati të lënduar dhe koncerti nuk u ndërpre. KM shkruan se mentalitetet fashiste në Shqipëri duan t’i vënë flakën Balkanit.

KY dhe armata e tij qeverisëse dhe mediatike aq agresive në rrjetet sociale dëshpërohen përse Kurti dhe Vetëvendosja nuk vepruan si forcë politike “fashiste”. Kjo, sepse vetëm ky skenar do ta dimensiononte ATE, liderin më modern në hapësirat globale, përfshi edhe Afganistanin që duhet rindërtuar.

AI vetëbeson se është i vetmi “fanar ndriçues” që me vizionin dhe mision paqëtues midis serbëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë, me “qartësinë” e tij gjeo-politike, me protagonizmin e tij “patriotik” dhe me kujdesarine mbi Kurtin e çdo lider legjitim të Kosovës, pse jo edhe të gjithë Balkanit, AI dhe vetëm AI do ta sigurojë paqen, e cila sipas ATIJ është e pamundur pa ATE. Prandaj duhen toleruar udhëheqës autotaritarë që qeverisin si mbretër të mbretërive feudale në mes të Evropës dhe në fillimet e shekullit të 21-të.

Fatkeqësisht, iluminizmin e ka vrarë pushteti absolut që bazohet te kapja e shtetit dhe “korruptimi ekstravagant i liderëve parafabrikatë”, siç qartësonte në analizën e tij nobelisti Acemoglu për disa nga shkaqet thelbësore të deshtimit shtet-formues jo vetëm në Afganistan.

Nga Edi Rama: NJË KOMENT PËR KOMENTET E KINSE PATRIOTËVE 

Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes!