Transmetuar më 10-08-2021, 10:51

Ashtu sikurse edhe në vendet e BE-së, si: Italia dhe Franca, Maqedonia e Veriut mori vendimin për të mos lejuar askënd të pavaksinuar në kafene, pas datës 16 gusht.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se aktualisht do të ndërpritet tërësisht aktiviteti i këtyre objekteve në hapësira të brendshme.

Mediat vendase shkruajnë, se Këshilli Inspektoral mori sot direktivat si duhet të zbatojnë protokollet e reja në objektet gastronomike dhe hotelerie që nga 16 gushti.

Ky zhvillim vjen pasi Qeveria maqedonase miratoi masa të reja fundjavën e kaluar për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që do të hyjnë në fuqi nga e hëna e ardhshme.

Masat, ndër të tjera, parashikojnë ndalimin e plotë të të gjitha llojeve të eventeve dhe funksionimin e objekteve të hotelierisë së brendshme dhe certifikatën e detyrueshme të vaksinimit, të paktën me dozën e parë, në hyrje të një eventi ose objekti me më shumë se 30 persona të pranishëm, qoftë brenda apo jashtë në mjedis të hapur.