Transmetuar më 13-06-2021, 13:14

Gigi Buffon është shumë afër një rikthimi të bujshëm te Parma, ekipi që e përshëndeti 20 vite më parë për të kaluar te Juventusi.

Ideja romantike e një kthimi të portierit në Emilia merr formë gjithnjë e më shumë, një goditje që do t’i jepte edhe më shumë prestigj Serie B, sezonit 2021-2022.

Klubi parmalat pret miratimin përfundimtar të portierit në ditët e ardhshme për mbylljen e një cikli nostalgjik.

Te Parma, trajneri i ri, Enzo Maresca, shok skuadre i Buffon te Juventusi në periudhën 2001-2004, do ta priste atë krahëhapur.

Buffon, gjithashtu ka marrë propozime nga Besiktas dhe Barcelona, si portier i dytë, por ai dëshiron të qëndrojë në Itali dhe është i hipnotizuar nga ideja e kthimit te Parma. Një kontratë 2-vjeçare e pret.

Klubi emilian e pret me durim përgjigjen e Buffon, i cili luajti te Parma nga viti 1995 deri më 2001.

Në Emilia, portieri bëri debutimin e tij në Serie A më 19 nëntor 1995, ende adoleshent, dhe ishte ndër më të mirët në fushë, në atë barazim 0-0 kundër Milanit.

Në sezonin vijues u bë titullar i ekipit, që përfundoi i dyti në kampionat. Te Parma luajti 220 ndeshje, duke fituar 3 trofe, të gjithë më 1999: Kupën UEFA, Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë.

Më 2001, Buffon u transferua te Juve, klubi në të cilin luajti për 19 sezone, plot 685 ndeshje, duke u bërë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Serie A.

Po ashtu, 43-vjeçari regjistroi serinë më të gjatë si i pamposhtur në historinë e Serie A (974 minuta). Përvoja e gjatë bardhezi u ndërthur vetëm me sezonin e vetëm te PSG. Tani, në moshën 43 vjeç, ai mund të kthehet në “skenën” ku e nisi.

"Ose ndaloj së luajturi, ose, nëse gjej një situatë që më motivon të luaj, pra kam një përvojë tjetër jetësore, e marr parasysh. Në Itali mund të luaja vetëm me Juven dhe Parmën”, – tha ai në mes të majit.

Koha për vendime po vjen dhe Buffon po vlerëson idenë e një kthimi ku e filloi karrierën. Me një motiv të çmendur: duke luajtur rregullisht, synon të jetë njëri ndër tre portierët e Italisë në Botërorin e vitit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Katar. /fredi/noa.al