Transmetuar më 07-06-2021, 18:42

Pronari i Amazon dhe themeluesi i kompanisë hapësinore Blue Origin do të marrin pjesë në udhëtimin e parë turistik hapësinor që pritet të nisë më 20 korrik 2021, raporton noa.al duke cituar njoftimin e Jeff Bezos.

"Që kur isha pesë vjeç kam ëndërruar të udhëtoj në hapësirë. Më 20 korrik do ta bëj me vëllain tim", është mesazhi i postuar sot në Instagram nga themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, i cili 15 ditë më parë dha dorëheqjen si CEO i kompanisë më të madhe në botë për shitblerje online.

Bezos njoftoi se do të hipte në lëshuesin suborbital New Shepard, për të marrë pjesë në udhëtimin e parë të kompanisë së tij, Blue Origin. Ai do ta bëjë këtë së bashku me vëllanë e tij Markun dhe këdo që fiton biletën e tretë në një ankand shumë milionësh.

Udhëtimi do të zgjasë 11 minuta dhe anija do të ngrejë udhëtarët 100 km mbi sipërfaqen e tokës. Nisja do të bëhet nga Launch Site One, Texas, 15 ditë pasi Bezos u largua nga posti i tij si CEO i Amazon.

Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, Bezos do të mundë themeluesin e Tesla, Elon Musk dhe themeluesin e Virgin, Richard Branson të cilët kanë edhe ata të njëjtin qëllim.

Ndërkohë, Blue Origin mbylli raundin e parë të ankandit muajin e kaluar dhe tha se mori më shumë se 5200 oferta nga 136 shtete të botës. Sipas kompanisë, oferta më e lartë aktuale është 2.8 milionë dollarë, por shifra pritet të rritet në raundin e dytë të ankandit që mbyllet më 12 qershor.

Kompania tha se nisja është planifikuar të bëhet pas pak më shumë se një muaji, më 20 korrik duke shënuar kështu udhëtimin e parë turistik suborbital. /noa.al