Transmetuar më 27-05-2021, 18:20

Ekzistenca apo jo e UFO-ve ka bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të investohen për të gjurmuar objektet e lëvizshme të paidentifikuara.

Së fundmi, Pentagoni është vënë në lëvizje pas disa videove të pilotëve të Marinës Amerikane.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble i hedh një vështrim misterit të fundit të UFO-ve.

Video në fjalë është filmuar nga një avion i Marinës në të cilën dëgjohet ekuipazhi që reagon ndaj asaj që duket të jetë një objekt që fluturon me shpejtësi të lartë dhe në mënyra mahnitëse.

Materiali filmic vjen nga një grup sekret pune në Pentagon i ngritur në vitin 2007 dhe i ngarkuar me mbledhjen dhe analizimin e rasteve të tilla që tani njihen si Fenomene Ajrore të Paidentifikuara ose UAP.

Pasi tre video dolën në mënyrë të paautorizuar dhe u postuan në internet, Pentagoni konfirmoi në vitin 2020 se ato janë regjistrime autentike të bëra nga personeli i marinës.

Ky fakt i ka bënë zyrtarët në nivelet më të larta të qeverisë t’i trajtojnë hapur UFO-t dhe me një urgjencë të re, përfshirë një ish-president.

"Ka pamje filmike dhe regjistrime të disa objekteve në qiell që ne nuk i dimë saktësisht se çfarë janë. Nuk mund të shpjegojmë lëvizjen dhe trajektoren e tyre”, thotë ish presidenti Obama.

Pentagoni pritet të publikojë një raport në fund të qershorit duke i siguruar Kongresit dhe publikut një analizë për UFO-t me të dhëna të grumbulluara nga agjenci të shumta qeveritare.

"Ka objekte që fluturojnë mbi instalimet e sigurisë kombëtare, nuk e dimë çfarë janë, nga vijnë, nuk janë tonat. Duhet ta zbulojmë këtë të panjohur", thotë senatori Marco Rubio.

Kanë kaluar 70 vjet që kur Pentagoni filloi analizën e tij të parë për UFO-të. Në dekadat e fundit, ka pasur pak njohje zyrtare të fenomenit megjithëse rastet kanë vazhduar. Ato shpesh hulumtohen nga grupet e qytetarëve.

Objektivi i raportit të Pentagonit është të përcaktojë nëse objekte të tilla përbëjnë kërcënim, por disa vëzhgues shpresojnë që studimi të shkojë edhe më tej në kërkim të përgjigjeve për shumë pyetje. /k.k/noa.al/

Burimi: VOA