Transmetuar më 13-05-2021, 22:55

Analisti Artur Zheji e ka lidhur ekzistencën e doktrinës fetare në tokë, me alienët.

Zheji tha se ata kanë sjellë doktrinën fetare dhe kjo është sot një teori dominante.

Në një diskutim me Dom Gjergj Metën, i ftuar në emisionin “Opinion”, Zheji tha se Zoti dhe feja që vjen nga qielli janë prurje aliene.

“Kriza kryesore po vjen edhe nga fakti që gjithmonë e më tepër mendohet që tanimë, se Zoti, feja që vjen nga qielli janë prurje aliene”.

“Në Itali ka një diskutim, Vatikan dhe në të gjithë Europën. Unë them që karrot e zjarrta, po mësove testamentin e vjetër, karrot e zjarrta, gjithë këto zbritjet me një bisht të zjarrtë, janë anije kozmike të alienëve të cilët kanë krijuar kryqëzimin e racave me ne. Kjo është një teori dominate sot dhe si të gjitha teoritë alternative mbahet në periferi me dhunë nga teoritë zyrtare, por unë them se kisha dhe xhamia duhet të jenë të hapura, o ta integrojë ose të rrëzojë”, theksoi ai.

“Të krishterët e vjetër përpara se perandoria e Romës ta pranonte krishtërimin, përndiqeshin, martirizoheshin dhe kjo ka vazhduar 300-400 vjet. Pra gjithmonë gjërat e reja marxhinalizohen nga shoqëria. Nuk them që është e vërtetë, 10% i frekuentimit do të thotë fitore e materializimit dhe materializimi shprehet përmes alienëve. Alienët e kanë sjellë doktrinën fetare në planet”, tha Zheji.

/a.m/NOA.al