Transmetuar më 13-05-2021, 19:10

Edi Rama: Për Shqipërinë, BE-ja dritëshkurtër dhe hipokrite!

Në konferencën e Shtetit të Bashkimit në Firence u takuam me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili sapo ka fituar mandatin e tij të tretë radhazi, një arritje historike në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor. Në zemër të fushatës për zgjedhjet e fundit, ishte kandidatura e Shqipërisë për Bashkimin Evropian.

Kandidatura e Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të bëjë një hap përpara me konferencën e parë për të çelur negociatat midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që do të propozohet së shpejti. Sa i rëndësishëm është ky hap?

Është shumë e vështirë të thuash. Është shumë e vështirë sepse u desh ta ndërmerrnim këtë hap disa vjet më parë, pastaj pritje pa pushim, pa pushim. Nuk ka ndodhur për shkak të dinamikës së brendshme të Këshillit Evropian. Tani le të shpresojmë që të ndodhë … Kështu që nuk është e lehtë të përgjigjesh.

Çfarë jeni të gatshëm të bëni nëse bisedimet pushojnë përsëri?

Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim, sepse për ne Evropa nuk është një destinacion apo një objektiv politik, Evropa është një fe dhe askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri për faktin e thjeshtë se Evropa për ne është diçka e shenjtë dhe në të njëjtën kohë është diçka që u detyrohemi fëmijëve tanë. Dhe kjo është arsyeja pse nuk do të bëjmë asgjë përveçse të punojmë shumë, dhe gjithnjë e më shumë, për ta bërë Shqipërinë një shtet plotësisht funksional evropian.

BE për Shqipërinë fillon të duket gjithnjë e më shumë si Godot …

Sjellja e Shqipërisë në Evropë ka qenë premtimi kryesor politik që nga fillimi. Duke pasur parasysh të gjitha vitet që kanë kaluar, çfarë do të thotë anëtarësimi në BE për Shqipërinë sot?

Kjo do të thotë gjithmonë aq sa është kuptuar që nga dita e parë. Shqiptarët nuk lodhen kurrë që të luftojnë, për të qenë pjesë e Evropës. Sigurisht që ka pasur disa zhgënjime, Evropa nuk ka qenë në gjendje të mbajë premtimet e saj. Ne kemi bërë detyrën tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, sepse, siç thashë, për ne Evropa është ajo që ka qenë që nga dita e parë kur kemi dalë nga komunizmi dhe është hera e parë në histori që mund të zgjedhim. Asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje, të tjerët vendosën për ne dhe vendi ynë ishte në hapësira të ndryshme, por jo në hapësirën që kemi dashur gjithmonë, e që është Bashkimi Evropian.

Vitet e fundit, Shqipëria ka realizuar ndryshime kushtetuese në shkallë të gjerë në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e reformave. Situata është përmirësuar por nuk shihet e mjaftueshme. Sa përparim mendoni se ka bërë Shqipëria, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit?

Ekziston një ndryshim i madh midis anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe hyrjes në negociata të plota, sepse siç jemi sot, nuk jemi gati për anëtarësim, nuk ka dyshim. Por siç jemi sot, ne jemi më se të gatshëm për të hyrë në negociata të plota, dhe këtu qëndron kontradikta dhe ku Evropa tregon veten dritëshkurtër dhe në një farë mënyre edhe hipokrite, sepse Shqipëria e meriton plotësisht fillimin e negociatave.

A mendoni se këto përparime që përmendët ju ndihmuan që të rizgjidheni?

Unë mendoj se populli shqiptar ka ndjenjën e qartë se puna nuk ka mbaruar. Mandati i tretë është një mandat i qartë për të përfunduar punën, jo shpërblimi për një punë që është bërë tashmë.

Me procesin e pranimit në BE që zgjat më shumë se sa pritej, Ballkani Perëndimor duket se është bërë një fushë beteje për fuqitë e jashtme. Çfarë mendoni dhe si përshtatet Shqipëria me të gjitha këto?

Fakti që ata nuk janë plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian e bën Ballkanin Perëndimor një zonë gri që tërheq aktorë të tjerë që shohin mundësi, palë të treta që nuk kanë të njëjtin qëndrim dashamirës dhe të njëjtat vlera dhe parime me Bashkimin Evropian.  Për Shqipërinë nuk shoh rreziqe të menjëhershme, sepse shqiptarët janë shumë fanatikë ndaj Perëndimit dhe ndaj Bashkimit Evropian, janë vendet e tjera që pak a shumë duhet të menaxhojnë këto ndikime nga aktorët e tjerë. Ne nuk jemi të gatshëm për pranim, por jemi më shumë se të gatshëm për negociata.

Cili është qëndrimi juaj në lidhje me dokumentin jozyrtar që qarkulloi në Bruksel në lidhje me një ripërcaktim të kufijve të Ballkanit Perëndimor? Presidenti i Maqedonisë së Veriut na tha se pasojat do të ishin katastrofike.

Pozicioni im është shumë i thjeshtë. Për sa kohë që ne – dhe kur them ‘ne’ dua të them të gjithë aktorët e përfshirë: Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, aktorët e rajonit – nuk i qasemi çështjes së status quo-së me një qasje shumë të hapur dhe të qartë , do të ketë zhgënjime dhe do të lindin ide, nga më qesharaket te më të çuditshmet, sepse status quo nuk është një opsion i zbatueshëm. Megjithëse kemi mosmarrëveshje të thella për të zgjidhur, duhet të pranojmë që nuk jemi dakord, dhe në të njëjtën kohë të shtyjmë të gjithë së bashku për të forcuar bashkëpunimin tonë me qëllim krijimin e një zone funksionuese plotësisht Shengen në rajon.

Intervistoi Giorgia Orlandi  https://it.euronews.com/

/a.m/NOA.al