Transmetuar më 12-05-2021, 23:20

Obeziteti e përndiqte 58-vjeçaren Marleen Greenleaf gjatë gjithë jetës së saj. Ashtu si shumica e njerëzve të shëndoshë, ajo provoi dieta dhe plot mënyra komerciale dobësimi, por pesha gjithmonë kthehej.

Njerëzit me mbipeshë nuk janë të preferuar në shumë aspekte të shoqërisë. Ata kanë vështirësi evidente për të krijuar lidhje. Po ashtu zor se i marrin në punë. Për më tepër në disa punë as që bëhet fjalë të merren. Mund të jenë po aq të arsimuar dhe profesionistë se të tjerët, por trajtohen si të dorës së dytë dhe paguhen më pak.

Përveç kësaj, duhet të përballen me përbuzje dhe stigmatizim. Njerëzit nuk hezitojnë të komentojnë dhe të tallen me trupin e tyre edhe në mes të rrugës.

Marleen Greenleaf

E përballur edhe kjo 58 vjeçare me këto dukuri, tre vjet më parë pranoi të marrë pjesë në një provë klinike për semaglutide, një lloj i ri i ilaçeve për mbipesha. Gjatë studimit që zgjati 68 javë, gradualisht humbi rreth 18 kilogramë.

"Mendova se thjesht kisha nevojë për më shumë motivim," tregon 58 vjeçarja, citon noa.al. Por ishte goxha më e thjeshtë. Ajo mori semaglutidë dhe siç tregon "menjëherë, dëshira për të ngrënë, thjesht u zhduk".

Bëhet fjalë për një pilulë e cila po provohet se shkakton humbje të konsiderueshme të peshës në shumicën e pacientëve – mjaftueshëm për të bërë një ndryshim si nga ana mjekësore dhe estetike.

Ekspertët janë shumë optimistë. Ata shpresojnë që pilulat e reja do të arrijnë një revolucion shoqëror: Do të ndryshojnë mënyrën se si shoqëria i trajton njerëzit e shëndoshë dhe se si njerëzit e tillë do të ndjehen për veten e tyre. Sepse obezët do të trajtohen me pilulat dobësuese dhe frenuese të oreksit e kështu do të jenë më pak të përndjekur nga bulizmi ndaj tyre.

Shkencëtarët deklarojnë se këto pilula të reja lejojnë që mbipesha të trajtohet si një sëmundje kronike. Është e qartë se këto pilula  duhen marrë për gjithë jetën nga njerëzit mbi peshë.

Qëllimi final është që mbipesha të kuptohet nga të gjithë se është me të vërtetë një gjendje patologjike.

"Ne të gjithë besojmë se ky ilaç do të ndryshojë mënyrën e shikimit të trajtimit të mbipeshës", tha Dr. Caroline Apovian.

Mjekja thotë se semaglutidi është krejt i ndryshëm nga barnat e tjera për humbjen e peshës. Kjo pilulë e re është një version sintetik i një hormoni natyror që vepron në qendrat e oreksit në tru dhe zorrë duke prodhuar ndjesinë e ngopjes.

Dr. Robert F. Kushner, një studiues i mbipeshes në Universitetin Northwestern, thotë se pilula e re duhet të miratohet për përdorim të gjerë. "Nëse pilulat e reja kalojnë në procesin e miratimit, ato do të ndihmojnë mjekët të binden se mbipesha është një sëmundje kronike dhe se ajo mund të kurohet", tha Dr. Robert F. Kushner.

"Një arsye që shumë mjekë nuk i ndihmojnë pacientët obezë është sepse ata nuk dinë si ta bëjnë atë," tha Dr. Kushner. "Dietat dhe rutinat e ushtrimeve që zakonisht ofrohen, pothuajse gjithmonë sigurojnë humbje peshe afatshkurtër, në rastin më të mirë."

"Unë u them atyre se (mbipesha) është një problem kronik mjekësor, ashtu si diabeti," thotë ai. Ndaj dhe pilula e re duket të jetë zgjidhja finale për dukurinë e obezitetit që shënon vetëm rritje.

/noa.al/ Me informacion nga: New York Times. Foto: GETTY IMAGES