Transmetuar më 12-05-2021, 20:57

Bashkimi Evropian beson se zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri ishin të rregullta dhe se as apelimet që po bëhen nuk e zbehin këtë vlerësim që erdhi edhe nga OSBE/ODIHR.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, në një takim me të rinj të universiteteve të Tiranës, foli sot mbi zhvillimet politike në vendin tonë. Duke u ndalur te procesi integrues, z.Soreca, i cilësoi zgjedhjet e 25 prillit si një hap përpara në këtë drejtim.

“Zgjedhjet ishin një hap shumë i rëndësishëm sepse u bë implementimi i Kodit të Ri Zgjedhor që ishte edhe një prej kushteve të vendosura nga BE.

Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të rregullt sic thuhet në raportin e OSBE/ODHIR. Ka një proces apelimi që po vazhdon por kjo nuk ndikon rregullsinë e procesit edhe implementimin e kodit të ri zgjedhor", tha z.Soreca.

Në bashkëbisedim me të rinjtë, Soreca u ndal në mundësinë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ai nuk pranoi të bëjë diferencime.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar tashmë kushtet të cilat u janë kërkuar nga Këshilli i Europës dhe të dyja e meritojnë që të fillojnë së bashku konferencën e parë qeveritare dhe shpresoj që tëgjitha vendet anëtare ta marrin këtë vendim së bashku”, – u shpreh Soreca.

Deklarata e zyrtarit më të lartë evropian në Shqipëri lidhur me rregullsinë e zgjedhjeve vijnë ndërsa opozita nuk i njeh ato, duke depozituar qindra denoncime për shkelje që sipas saj kanë ndikuar në mënyrë domethënëse rezultatin e 25 prillit. Po ashtu, opozita ka denoncuar se kreu socialist Edi Rama ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij duke arritur deri aty sa të zhvillojë dhe marrë pjesë në zgjedhje moniste siç ishin ato të vitit 2019, që nuk kishin ndodhur kurrë më parë që nga rikthimi i sistemit pluralist në fillim të viteve ’90.

Ndërsa pohimet për Maqedoninë vijnë ndërsa qeveria e atjeshme bëri gjithçka iu kërkua nga Greqia si vend i BE, duke arritur deri aty sa të ndryshojë dhe emrin që mos përballet me veton greke në BE. Por telashet për Shkupin nuk paskan të sosur pasi tani është Bullgaria ajo që ka nisur përplasjet duke përsëritur precedentin helen. /noa.al