Transmetuar më 24-02-2021, 22:55

Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet që ditën e nesërme të përditësojë masat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19.

Në tryezën e këtij komiteti janë prej ditësh disa variante që synojnë thellimin e kufizimeve, por ato janë kundërshtuar nga kreu i qeverisë, i cili shumë herë kohët e fundit ka deklaruar se është kundër një lockdown të thelluar.

Megjithatë janë dy plane që po diskutohen orët e fundit. Një prej tyre synon karantinë më të fortë 14 ditore në përpjekje për të reduktuar të infektuarit.

Plani është që të zgjerohet që në orën 18 mbyllja e çdo biznesi dhe ndalim qarkullimi deri në 6 të mëngjesit. Në këtë mënyrë liridashës e njerëzve do të ishte vetë  12 orë në ditë.

Por disa anëtarë të komitetit këmbëngulin që të mbyllen të gjitha lokalet për 14 ditë, duke lënë si tolerancë që të paktën të mbyllen mjediset e brendshme të tyre.

Një tjetër plan që nuk pritet të miratohet është mbyllje totale gati 3 ditore nga pasditja e të premtes deri të hënën në mëngjes.

Shkak për masat ekstreme që priten të konfirmohen ditën e enjte nga Komiteti Teknik i Ekspertëve është rritja e rasteve të reja me Covid-19 gjatë dy javëve të fundit.

Gjatë dy muajve të fundit po infektohen çdo ditë mijëra shqiptarë të cilët po vuajnë përballjen me virusin më së shumti në kushte shtëpie.