Transmetuar më 24-02-2021, 11:03

Thuajse një muaj e gjysmë pas grabitjes së një kambisti në Korçë para shtëpisë së tij, policia ka arrestuar autorin e dytë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 11 janar të këtij viti.

Sipas policisë, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në  Tiranë, kanë kapur 33-vjeçarin e shpallur në kërkim për këtë ngjarje dhe një tjetër person, i cili kishte strehuar dhe përkrahur autorin e krimit.

Policia sekuestroi edhe një dokument policie dhe simbole dalluese, të cilat 33-vjeçari i përdorte për t’u prezantuar si punonjës policie, me qëllim shmangien e arrestimit.

NJOFTIMI I POLICISË

Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, ku 3 shtetas (njëri prej të cilëve u arrestua në flagrancë) i vodhën me dhunë shumën 4.000.000 lekë, shtetasit Sh. M., 57 vjeç, para banesës së tij, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për këtë ngjarje:

M.A., 33 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”);

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasit e mësipërm u kapën në qytetin e Tiranës, nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, me mjetin tip “Volksëagen Polo”, në pronësi të M. A.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. A. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një dokument policie dhe simbole të tjera dalluese të Policisë, që ky shtetas i përdorte me qëllim që të shmangte kapjen nga Policia.

Ndaj 33-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 28.01.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në 11.01.2021, në Korçë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh. e ka përkrahur dhe strehuar shtetasin M. A., pas kësaj ngjarjeje.

Nga ana e Policisë është identifikuar dhe bashkëpunëtori i tretë i dyshuar për këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. /e.a/noa.al/