Transmetuar më 24-02-2021, 09:55

Rritet gjithnjë e më shumë bilanci i viktimave nga koronavirusi në qytetin e Elbasanit. Vetëm gjatë natës, në spitalet Covid, kanë humbur jetën tre persona nga ky qytet, të grupmoshës 35-45 vjeç, të tre të gjinisë mashkullore.

Sipas ‘Ora News’, bëhet me dije me dije gjithashtu se, edhe një qytetar nga Elbasani ndodhet i shtruar në spital, në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë që një ditë më parë, një oksigjenist nga ky qytet, 38 vjeç, është shtruar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Kujtojmë që dy ditë më parë, një nënë e re 28-vjeçare nga Elbasani, humbi jetën nga Covid 19 pak pasi kishte sjellë në jetë foshnjën e saj në spitalin "Shefqet Ndroqi".

Dje është hapur edhe pavioni i dedikuar COVID 19 në Spitalin Rajonal të Elbasanit, duke u zgjeruar me 3 spitale rajonale në vend trajtimi i pacientëve të prekur, përpos 4 spitaleve COVID në Tiranë.

Në raportin e djeshëm ditor të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, 1021 qytetarë kanë rezultuar të prekur me Covid 19 në vendin tonë, ndërkohë që 15 pacientë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm.

Shifrat e larta të të vdekurve dhe të infektuarve, tregojnë për një përhapje të madhe të virusit, pavarësisht nga masat kufizuese të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. /e.a/noa.al/