Transmetuar më 24-02-2021, 09:45

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme ku nënë e bir janë plagosur para shtëpisë së tyre nga disa fqinj për shkak të një vendi parkimi.

Sipas policisë, është arrestuar autori kryesor i dyshuar i plagosjes së dyfishtë, me iniciale E.J.

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J.

Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.

Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve, rezultoi se shtetasi E. J. (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. J., kanë konsumuar veprat penale  "Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim" dhe "Armëmbajtja pa leje", si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç. (vëllai i shtetasit F. Ç.), për veprën penale " Dëmtime të tjera me dashje".

Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Vrasja e mbetur në tentativë", "Armëmbajtja pa leje" dhe "Dëmtime të tjera me dashje". /e.a/noa.al/