Transmetuar më 23-02-2021, 12:35

Gjyakata e Apeltit, ka liruar nga burgu dy nga katër të arrestuarat në spitalin Covid 2, të cilat akuzoheshin se kanë bashkëpunuar me sanitaren e arrestuar më parë në këtë strukturë, Tire Alldervishi, e cila mashtronte dhe u merrte lekë pacientëve.

Kështu, me masën ‘detyrim paraqitje’, janë liruar nga qelia, infermierja Sidorela Kola dhe sanitarja Rukie Hoxha.

Ndërkohë, për infermieret Mira Bushi dhe Sheqerie Koçi, gjykata ka vendosur mospranim ankimi, pasi nuk ishte bërë konform rregullave.

Tre infermieret dhe sanitarja, u arrestuan më 8 shkurt, pasi u akuzuan se kishin krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitojnë sa më shumë ndaj pacientëve të sëmurë me sëmundjen Covid 19 dhe familjarëve të tyre.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar pak ditë më parë, prokuroria zbuloi se infermieret dhe sanitarja i kishin fshirë mesazhet telefonike me Tiren, duke shtuar dyshimet se janë bashkëpunëtore të saj.

Gjyqtarja kërkoi edhe zbardhjen sa më të shpejt të mesazheve që të akuzuarat kanë fshirë sapo mësuan arrestimin e koleges së tyre Tire Alldervishi.

Kjo e fundit, ish-sanitare tashmë e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ndodhet pas hekurave, ndërsa hetimet e prokurorisë zbuluan se pjesë e skemës së korrupsionit ishin dhe 3 infermiere dhe një sanitare tjetër, të cilat u vunë në pranga.

Alldervishi u arrestua pas kallëzimit të vajzës së një pacienteje me Covid 2, e cila denoncoi në media se pagoi 8 milionë lekë të vjetra në kohë të ndryshme te sanitarja-mashtruese, me premtimin se do t’i bënte një shërbim më të mirë nënës së saj.

Vetë sanitarja iu prezantua vajzës si infermiere, ndërsa mjekëve u tha se pacienten e kishte teze. Për fat të keq, pacientja e sëmurë nuk ia doli të mbijetojë nga virusi, duke humbur jetën në spital. /e.a/noa.al/