Transmetuar më 23-02-2021, 11:40

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë vaksinimi masiv anti-Covid i popullatës në Shqipëri, pasi të jetë mbyllur fushata për disa kategori të caktuara.

Kreu i qeverisë nuk dha një datë të caktuar, por u shpreh se “jemi shumë afër” dhe duke pohuar se "nuk dua ta them fjalën e fundit".

Duke iu referuar tërmetit dhe pandemisë, Rama tha se gjysma e mandatit ka qenë luftë. Ai premtoi se do të fitohet edhe kjo betejë kundër Covid 19.

"Ky është moment kyç që kjo luftë po goditet me vaksinimin. Duke parë se çfarë ndodh mes disa vende, si Izraeli dhe Britania e Madhe po shohin daljen nga tuneli i pandemisë, – u shpreh Rama. – Është shumë e qartë, se vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për të filluar çlirimin e vendit dhe për ta kthyer në një vend pa Covid. Izraeli vendosi një bast të madh dhe sot disponon gjithçka që i duhet. Për këtë arsye unë jam me mish dhe më shpirt i angazhuar që sa më shpejt të disponojmë një sasi vaksinash që të hyjnë intensivisht në një fazë finale të luftës ndaj Covid. Ashtu siç siguruam kontratën me Pfizer jashtë radhe, ashtu sikundër arritëm të fusim në proces dhe do përmbyllim brenda javës së dytë të marsit vaksinimit e bluzave të bardha, shumë shpejt do nisë vaksinimi masiv. Nuk mund të jap shumë detaje, por jemi shumë afër. Nuk e them dot fjalën e fundit, por mezi po pres ta them”, deklaroi Rama.

Këto deklarata, shefi i qeverisë i bëri në një konferencë shtypi ‘online’, "Ekonomia në Fokus" bashkë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. /e.a/noa.al/