Transmetuar më 22-02-2021, 19:06

Të dhënat nga Instituti i Lartë i Shëndetit Publik në Itali, gjatë muajit të fundit janë të qarta: Koronavirusi po prek masivisht edhe të rinjtë: 17.5 përqind e rasteve pozitive në vendin fqinj kanë të bëjnë me grupmoshën midis 0 dhe 18 vjeç.

Me fjalë të tjera: pothuajse një në 5 të infektuar nga totali i të infektuarve në Itali gjatë këtij muaji është fëmijë apo adoleshent.

Ky rezultat është gjithashtu efekt edhe i përhapjes së variantit anglez, i cili, sipas studimeve të hershme nga shkencëtarët britanikë, i infekton fëmijët më lehtë sesa versioni fillestar i Sars-CoV-2.

Gjatë valës së parë, të miturit ishin një përqindje shumë të ulët e totalit sa i përket numrit të të infektuarve. Për shembull, në tabelën e Institutit të Lartë të Shëndetit Italian, Qershor 2020, rastet pozitive midis moshave 0 dhe 18 ishin 2.3 përqind e totalit.

Sot kjo shifër është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, duke arritur, siç u përmend, në 17.5 për qind.

Sigurisht, kjo shifër ka nevojë për disa korrigjime duke filluar me faktin se, gjatë valës së parë, u kryen shumë më pak tamponë dhe për këtë arsye shumë të mitur ishin pozitivë pa e ditur atë dhe pa u përfshirë në statistikat zyrtare.

Sidoqoftë, nuk ka dyshim që tani virusi po prek të miturit dhe kjo shpjegon edhe arsyen pse çdo ditë ka shkolla që duhet të mbyllen për shkak të shpërthimeve, shpesh kur mësohet se ato i përkasin variantit anglez.

Për fat të mirë, rreth 80 përqind e fëmijëve që kanë rezultuar pozitivë në Itali nuk kanë ose kanë shumë pak simptoma, gati njëzet përqind i kanë ato të lehta dhe vetëm një përqindje shumë e vogël i kanë më të rënda. Që nga fillimi i pandemisë ka pasur 9 vdekje nga Covid midis fëmijëve nën moshën 9 vjeç. Po ashtu janë rregjistruar 941 vdekje nga 85,418 në vdekjet totale nga Covid nën moshën 50 vjeç (sipas të dhënave që janë azhurnuar më 27 janar).

Trendi i infektimeve nga njëri vend në tjetrin nuk ndryshon aq shumë, duke qenë se edhe në vendin tonë gjatë muajit të fundit është shtuar numri i fëmijëve të infektuar. Kujtojmë se mes 15 viktimave që humbën jetën nga raporti i 24 orëve të fundit, ishte edhe një pacient i moshës 18-vjeç. /a.m/NOA.al

Foto dhe Info marrë nga :https://www.ilmessaggero.it/italia/covid_bambini_contagi_varinte_inglese_scuole_ultime_notizie_oggi_22_febbraio_2021-5783759.html?fbclid=IwAR2BqQhvtMasgOmyPsQ159IXKSUPFfXOdYAHhXqBDvzCTXjEM1Lxf9xmzv8