Transmetuar më 23-01-2021, 10:29

Ndërsa pandemia nuk ndalet, vëmendja është përqendruar te vaksinat dhe shqetësimi për rritjen e varianteve të reja të koronavirusit në Evropë.

Kompania "AstraZeneca" ka bërë të ditur se numri i dozave të para të dorëzuara në BE, do të jetë më i ulët se sa pritej, për shkak të një problemi teknik, por ka garantuar se "miliona vaksina do të dorëzohen në shkurt dhe mars".

Zyrtarët nuk e kanë konfirmuar ende se sa e madhe do të jetë mungesa, por një funksionar i BE, i cili nuk donte të identifikohej, i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se dërgesat do të ulen në 31 milionë (rreth 60%) në tremujorin e parë të këtij viti.

"AstraZeneca" kishte vendosur të furnizonte me rreth 80 milionë doza 27 shtete deri në mars, sipas zyrtarit në fjalë.

Vaksina "AstraZeneca", në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit nuk është miratuar ende nga rregullatori i ilaçeve i BE, por pritet të marrë miratimin në fund të muajit.

Komisionerja e BE për Shëndetësinë, Stella Kyriakides komentoi vonesën në dërgesat e dozave të paracaktuara nga "AstraZeneca".

"Komisioni dhe shtetet snëtare, – raporton Komisionerja e BE për Shëndetin, – kanë shprehur pakënaqësi të thellë në këtë drejtim. Ne kemi këmbëngulur në një program të saktë për shpërndarjen e dozave në bazë të të cilave shtetet snëtare duhet të planifikojnë planet e tyre të vaksinimit, në varësi të koncesionit të një autorizimi të kushtëzuar të marketingut, i cili do të miratohet nga Komisioni pas dritës jeshile të EMA-s. Komisioni do të vazhdojë të këmbëngulë me "AstraZeneca"-n për të përgatitur masa që rrisin parashikueshmërinë dhe stabilitetin e dërgesave dhe përshpejtimin e shpërndarjes së dozës", përfundon Kyriakides.

Ndërkohë edhe kompania amerikane "Pfizer" ka lajmëruar se do të ketë vonesa në furnizimin e vendeve të BE-së. /e.a/noa.al/