Transmetuar më 22-01-2021, 15:16

Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për të dëbuar sekretarin e dytë të saj, me argumentin se kishte shkelur rregullat anti-Covid.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada thekson se pala shqiptare nuk i kishte shprehur asnjëherë shqetësime për sjelljen e diplomatit Alexei Krivoshejev, por për një tjetër diplomat.

Mes të tjerash, ambasada saktëson se pala shqiptare nuk ka sjellë prova që diplomati ka shkelur masat e vendosura nga qeveria për pandeminë.

Sipas tyre, Krivoshejev ka qenë i infektuar me COVID në fillim të nëntorit 2020 dhe ka qëndruar i vetëizoluar në banesë së bashku me familjen e tij, duke respektuar masat.

Ambasada, dënon edhe vendimin për të publikuar emrin e diplomatit, ç’ka sipas saj bie ndesh me praktikat diplomatike ndërkombëtare.

Ajo thotë se me këtë lëvizje, vihen në dyshim marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve.

Deklarata e plotë

"Koment i Ambasadës Ruse lidhur me shpalljen e diplomatit rus “persona non grata”.

E konsiderojmë të paargumentuar vendimin e autoriteteve shqiptare për dëbimin e diplomatit rus. Gjithashtu, jemi të befasuar nga përmbajtja e deklaratës përkatëse për shtyp të MEPJ-së së Shqipërisë.

Përkundër pretendimeve të Ministrisë, emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë përkatëse. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të  MEPJ-së me dt. 20.01.2021, sipas së cilës z. Krivoshejev është shpallur “persona non grata”. Në të njëjtën kohë, asnjë provë e shkeljes prej tij të masave anti-kovid, të vendosura në Shqipëri, nuk është sjellë.

Më herët, në korrik të vitit 2020, në një takim midis Ambasadorit dhe Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, G. Cakaj, u ngrit çështja e pretendimeve, meqë ra fjala, gjithashtu, mjaft të diskutueshme, për sjelljen e një diplomati tjetër. Pikërisht atëherë z. Ambasador premtoi të merrej me këtë çështje, premtim, i cili u përmbush. Vërejtje në adresë të këtij punonjësi nuk pati dhe ai u largua me sukses nga vendi pas disa muajsh, duke përfunduar shërbimin e tij.

Sa i përket z. Krivoshejev, pasi u diagnostikua me COVID-19 në fillim të muajit nëntor 2020, në përputhje me protokollin mjekësor, ai ka qendruar në vetëizolim për dy javë me anëtarët e familjes së tij, duke respektuar rreptësisht karantinën e pëcaktuar, dhe ka dalë në punë vetëm pasi ka kaluar dy teste negative. Kontakte të jashtme, përveç vizitës në institucionet mjekësore për të kryer testet përkatëse, ai nuk ka patur.

Ne besojmë se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara. Në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime.

Gjithashtu, drejtojmë vëmendjen tuaj te fakti se, në përputhje me praktikën diplomatike ndërkombëtare, emrat e punonjësve të misioneve diplomatike të shpallur “persona non grata” nuk i komunikohen publikut. Kjo është, ndër të tjera, një nga detyrimet e vendit pritës, me qëllim ruajtjen e sigurisë personale të diplomatëve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Publikimi i emrave mund të ndodhë, vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës".

Më herët, sipas mediave ruse, dëbimi i diplomatit është dënuar edhe nga Moska, e cila ka paralajmëruar se do të japë një përgjigje ndaj kësaj lëvizjeje.

“Një lëvizje e parë si një provokim që synon dëmtimin e lidhjeve dypalëshe”, tha sot zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko.

Shqipëria dëboi dje sekretarin e dytë të ambasadës ruse në Tiranë, me argumentin se kishte shkelur disa herë masat anti-Covid. Diplomatit Alexey Krivoshejev, iu la një afat prej 72 orësh për t’u larguar nga vendi ynë. /e.a/noa.al/