Transmetuar më 22-01-2021, 13:02

Prokurori i rrethit gjyqësor Tiranë,  Bajram Breçani është kërcënuar me jetë, pasditen e djeshme. Sipas Top Channel, prokurori ishte i ulur në një lokal përball shkollës ‘Harry Fultz’ në momentin që është kërcënuar.

Po ashtu është zbuluar edhe identiteti i kërcënueses, e cila është një grua me inicialet, M.B. Kjo e fundit mban detyrën e oficeres së policisë dhe është gruaja e të ndjerit, Arben Bilali.

Prokurori që është kërcënuar ka hetuar vrasjen e bashkëshortit të saj, Arben Bilalit. I dyshuar i kësaj vrasjeje, ka qenë Gjergj Cukali, ku ndonëse prokurori e ka arrestuar për ngjarjen, Gjykata e Apelit i ka dhënë lirinë.

Mësohet se gruaja e viktimës Bilali, edhe pse vendimin e ka dhënë Gjykata e Apelit dhe ka liruar Cukalin, e  kërcënon për herë të tretë Prokurin e çështjes.

Prokurori Bajram Breçani, sipas TCH, ka thënë: ”Kam njoftuar drejtuesin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu, dhe zyrtarë të tjerë në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe pres prej tyre reagim ligjor. U kërcënova për shkak të detyrës dhe kjo është hera e tretë, për një çështje për të cilën vendimarrja ka qenë tërësisht e gjykatës”.

Ish-efektivi i policisë, Arben Bilali është i treti nga vëllezërit në familjen e tij që vritet në atentat në 2 dekadat e fundit.

Familja Bilali ishte prej vitesh në një hasmëri me një tjetër familje në zonën e “Yzberisht” në Tiranë. Prej këtij konflikti, që daton në vitin 1994, numërohen disa viktima nga të dyja palët. /e.a/noa.al/