Transmetuar më 22-01-2021, 09:57

Dy persona janë arrestuar dhe 14 të tjerë janë vënë nën hetim pas sherrit me sende të forta mes tifozëve, mbrëmjen e djeshme në Elbasan, para derbit kryeqytetas, Tirana-Partizani.

Sipas policisë, në pranga kënë rënë shtetasit, S.V.,28 vjeç dhe K.B.,19 vjeç, banues në Tiranë. Nga konflikti që ata kanë pasur me njëri-tjetrin, janë lënduar edhe tre persona të tjerë, tashmë jashtë rrezikut për jetën.

Nga përplasjet, ku janë përdorur edhe gurë, është dëmtuar edhe një lokal në pronësi të shtetasit A.M.

"Arrestimi dhe procedimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “Luigj Gurakuqi”, bulevardi “Aqif Pasha”, Elbasan, këta shtetas, si tifozë të ekipeve të futbollit Tirana dhe Partizani janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta, dhe për pasojë janë dëmtuar 3 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është dëmtuar me sende të forta (gurë) një lokal në pronësi të shtetasit A. M.", – njofton policia.

Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për veprime të mëtejshme procedurale.

Para ndeshjes, tifozët kanë hedhur sende të forta, tymuese dhe flakadanë ndaj njëri-tjetrit, duke terrorizuar qytetin e Elbasanit në mbrëmje. Forca të shumta policie kanë shkuar menjëherë në stadium për të vënë nën kontroll situatën.

Derbin e kryeqytetit, i luajtur dje në "Elbasan Arena", e fitoi Partizani 1-0 me gol të Çinarit. /e.a/noa.al/