Transmetuar më 21-01-2021, 12:24

Rexhep Ipek, 49-vjeç nga Turqia me nënshtetësi shqiptare, i akuzuar si pjesë një grupi të strukturuar kriminal, është arrestuar në Bullgari.

Ai ishte pjesë e grupit kriminal që u godit në shtator të vitit 2019 nga operacioni “Limit”. Më 12 shtator policia njoftoi arrestimin e 23 personave në Shqipëri dhe 34 të tjerëve në Greqi.

Ata akuzoheshin për trafik droge, por dhe organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt Europës.

Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve, kryer në formën e posaçme të grupi kriminal”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

“Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.  Falë bashkëpunimit me homologët bullgarë është kapur një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Sofja, Bullgari, u krye ekstradimi nga Sofja, Bullgari, i shtetasit R. I., 49 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Durrës, i cili ka shtetësi shqiptare (është i pajisur me pasaportë shqiptare), pasi ka qenë i martuar me një shtetase shqiptare.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, më datë 15.10.2019, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve, kryer në formën e posaçme të grupi kriminal”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, – njofton Interpol Tirana. /e.a/noa.al/