Transmetuar më 21-01-2021, 12:04

Policia e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me sekuestrimin e pasurisë prej 5 milionë euro të dy vëllezërve Marku një ditë më parë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Vëllazëria”, policia ka sekuestruar pasuri që arrijnë vlerën 5 milionë eurove, në ngarkim të dy vëllezërve me precedent penalë në fushën e narkotikëve.

Dy vëllezërve, Sokol dhe Elson Marku, iu vendos sekuestro për 18 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milionë euro.

Policia njofton se  disa prej tyre, janë të përfituara nga dhënia e parave me fajde (konkretisht një bar-kafe, një vilë trekatëshe dhe 18 automjete Porsche, BMW, Mercedes dhe Audi), ndërsa pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Sipas hetimeve nga prokuroria, dy vëllezërit Marku, që prej vitit 2008 e deri në vitin 2015, kanë përfituar transferta në vlera monetare të larta nga disa vende të ndryshme të BE, si Italia, Belgjika, Spanja, Suedia, Zvicra, Greqia dhe Franca.

Këto vlera ata i investonin në blerjen dhe shitjen e makinave luksoze.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se pasuria e tyre ishte regjistruar në emër të personave të tretë, kryesisht familjarë e rreth shoqëror. Në emër të dy vëllezërve Marku ishin të regjistruara vetëm disa automjete.

Në vitin 2013, Sokol Marku u arrestua në Shqipëri teksa kthehej nga Italia. Sapo ka shkuar pranë pikës së kontrollit të pasaportave në aeroport, 32-vjeçari është marrë për një verifikim dhe më pas u vendos në dijeni se do arrestohej pasi rezultonte person në kërkim për një dënim të dhënë nga seksioni penal i Gjykatës së Tiranës. /e.a/noa.al/