Transmetuar më 21-01-2021, 10:30

SHÇBA dhe strukturat e tjera ligjzbatuese, arrestuan në flagrancë në Korçë, 2 punonjës policie, 2 doganierë dhe 1 shtetas, me akuzën e kontrabandës dhe shpërdorimit të detyrës.

Policët dhe doganierët akuzohen nuk kanë ushtruar detyrën funksionale në vendin e shërbimit, duke lejuar kalimin e mallrave kontrabandë.

Në kuadër të operacionit “Transportuesi”, u kap në flagrancë, shtetasi N.N., 39 vjeç pasi në aksin rrugor dogana Goricë–Diellas, pas kontrollit në mjetin e tij, u gjetën sasi të konsiderueshme mallrash ushqimore pa dokumentacion shoqërues.

Po ashtu, SHÇBA arrestoi në flagrancë punonjësit e policisë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”: N/komisarin P.B., 53 vjeç, Përgjegjës Turni në PKK Goricë dhe inspektorin R.D., 53 vjeç, Ndihmës/Specialist kontrollor në PKK Goricë.

"Arrestimi i tyre u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera është provuar se në momentin kur mjeti me drejtues shtetasin N.N. është paraqitur në hyrje të RSH, nuk kanë ushtruar detyrën funksionale në vendin e shërbimit, duke lejuar kalimin e mallrave kontrabandë. Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se punonjësit e Policisë, edhe pse kanë patur pamje vizuale të mallit, me mosveprim kanë favorizuar veprimet e kundërligjshme të punonjësve të doganës dhe këtij shtetasi për kalimin e mallit pa kryer procedurën e zhdoganimit", – thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës.

Pas hetimeve, në pranga u vunë edhe dy doganierët, V.T., 45 vjeç, Përgjegjës Turni në Doganën Goricë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe K.Xh., 34 vjeç, Doganier në Doganën Goricë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për hetime të mëtejshme. /e.a/noa.al/