Transmetuar më 21-01-2021, 09:57

Policia e Kukësit njofton zyrtarisht së këngëtarja Fjolla Morina është arratisur. Këngëtarja 34-vjeçare është shpallur në kërkim nga autoritetet, pasi nuk është gjetur në banesën ku vuante masën e sigurisë së "arrestit shtëpiak" të dhënë nga Gjykata e Kukësit shtatorin e shkuar.

“Më datë 20.01.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’, në ngarkim të shtetases F. M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila është me masë sigurie ‘Arrest në shtëpi’, të  caktuar nga Gjykata e Shkallës Parë Kukës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia nuk është gjetur në banesë. Po punohet për kapjen e saj”, njofton policia.

Hera e fundit kur ajo u pa në gjykatë, ishte seanca e 12 janarit, ku Fjolla Morina, pranoi të gjykohet me gjykim të shkurtuar, me qëllimin e vetëm për të përfituar uljen e dënimin në masën 1/3.

Çështja ndaj saj fillimisht u dërgua në gjykatë për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, por më pas gjatë zhvillimit të seancës paraprake, gjyqtari i çështjes urdhëroi prokurorinë që të ndryshojë akuzat, nga “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve”, në “Trafikim të armëve dhe municioneve”.

Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa në bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak.

Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”, mjet të cilin ia kishte dhuruar i dashuri vetëm pak ditë para vënies në pranga.

Bashkë me këngëtaren, u arrestuan edhe biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi i saj, Fitim Muji. Pavarësisht se ishin në të njëjtin mjet me të, Morina i shpëtoi dy djemtë nga përgjegjësitë, teksa deklaroi se ata nuk kishin asnjë dijeni për armën dhe se këtë të fundit e kishte dhuratë nga një mik që nuk jeton më. /e.a/noa.al/