Transmetuar më 21-01-2021, 09:40

Sot mbushen 10 vite nga 21 janari i vitit 2011, kur gjatë një proteste të opozitës së asaj kohe kundër qeverisë Berisha, u vranë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" 4 protestues.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika janë ata që u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së Partisë Socialiste, që ishte në atë kohe në opozitë.

Protesta precipitoi në dhunë dhe doli jashtë kontrollit, ku përveç protesutesve të vrarë, u plagosën disa të tjerë dhe u dogjën dhjetëra makina.

Viktimat sot kanë marrë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, por familjarët përsërsin vazhdimisht apelin për drejtësi. Sipas tyre, ende pas 10 vitesh, për ngjarjen ku u vranë familjarët e tyre, nuk është bërë drejtësi.

Në vitin 2013, për ngjarjen u vendos dënimi me një vit burgim për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe 3 vjet burgim për ish-gardistin, Agim Llupo.

Ndërkohë, një ditë para 10-vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit, Policia e Tiranës ka kërkuar hapjen e dosjes për këtë çështje, me një letër-kërkesë drejtuar prokurorisë.

Në letër-kërkesë, thuhet se kërkohet ri-ekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Kërkohet të kryhet ri-ekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni, kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim në datën 21 janar.

Gjithashtu në letërkërkesë, kërkohet të ripyeten të afërm të viktimave dhe dëshmitarë.

Sipas letër-kërkesës, i kërkohet me anë të një shkrese IPSH-së, nëse ka apo jo laborator për ekzaminimin kriminalistik në vendet e BE që të ekzaminohen predhat e gjetura. /e.a/noa.al/