Transmetuar më 20-01-2021, 15:31

Ligjvënësit në Greqi kanë vendosur sot të miratojnë legjislacionin, për të zgjatur ujërat territoriale të vendit përgjatë vijës bregdetare perëndimore nga gjashtë në 12 milje detare.

Prestigjozja “Washington Post” i ka dedikuar një artikull, referuar agjencisë "Associated Press", vendimit të parlamentit grek, për zgjerimin në Detin Jon.

Partitë e opozitës thonë se ata do të votojnë me qeverinë e qendrës së djathtë ose do të abstenojnë në votim. Megjithëse lëvizja nuk ndikon drejtpërdrejt në një mosmarrëveshje të vazhdueshme të kufirit detar me Turqinë në lindje, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i tha parlamentit se Greqia po miratonte një politikë të jashtme më këmbëngulëse.

"Është një mesazh i qartë për ata që po përpiqen të privojnë vendin tonë nga kjo e drejtë", tha Mitsotakis.

Vija bregdetare perëndimore e Greqisë përballet me Italinë dhe kufizohet me Shqipërinë në majën e saj veriore. Por zgjerimi synon të zbatojë të drejtën e vendit për të zbatuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, e cila ë vendosi kufirin prej 12 miljesh në 1982.

Greqia dhe Turqia, fqinjë dhe aleatë të NATO-s, janë në mosmarrëveshje rreth kufijve detarë dhe të drejtave minerale në Detin Egje dhe Mesdheun lindor, mosmarrëveshje që shkaktuan një bllokim të tensionuar ushtarak vitin e kaluar.

Turqia dhe Greqia do të rinisin bisedimet që synojnë uljen e tensioneve më 25 Janar, duke rifilluar një proces që ishte pezulluar pesë vjet më parë.

/a.m/NOA.al