Transmetuar më 20-01-2021, 08:34

Presidenti i SHBA-ve në largim, Donald Trump, ka falur ish-strategun dhe këshilltarin e tij në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, Steve Bannon, në një vendim të minutës së fundit të marrë vetëm disa orë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

"Prokurorët kanë ndjekur penalisht z.Bannon për akuza në lidhje me mashtrim, që rezultojnë në një përfshirje të tij në një projekt politik", tha në një deklaratë sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.

Bannon, po përballet me një çështje gjyqësore federale, që filloi në gusht, kur prokurorët e Nju Jorkut e akuzuan atë, së bashku me tre persona të tjerë, për mashtrim të donatorëve, me vlerë më shumë se një milion dollarë, si pjesë e një fushate për mbledhjen e fondeve të supozuara, për të mbështetur murin që donte të ndërtonte  Donald Trump në kufirin me Meksikën.

Sipas BBC, me një dekret presidencial, Trump gjithashtu fali më shumë se 140 persona të tjerë në orët e tij të fundit në detyrë.

73 individë përfituan falje dhe 70 të tjerëve iu ndryshuan dënimet, tha një deklaratë Shtëpia e Bardhë. /e.a/noa.al/