Transmetuar më 19-01-2021, 23:26

Ditën e djeshme në një pjesë të madhe të mediave qarkulloi lajmi se Çiljeta Xhilaga ishte larguar nga Partia Demokratike pasi ishte zhgënjyer nga drejtimi i Lulzim Bashës.

Si një besnike e përhershme, që ka shprehur hapur përkrahjen për PD-në, kjo gjë i habiti jo pak ndjekësit.

“Unë jam larguar nga PD-ja sepse kam pakënaqësi nga Lulzim Basha. Unë kam ndryshuar dhe vota ime këtë vit shkon për PS-në dhe Edi Ramën. Sigurisht që habiteni por Rama e meriton, demokratët janë zhgënjyer nga Luli”, thuhej se kishte thënë Çiljeta në një intervistë, por nuk dihej se në çfarë emisioni.

Mirëpo duket se ky lajm ka qenë i rremë dhe këtë gjë e ka thënë vetë këngëtarja. Ajo është shprehur se kjo intervistë është shpikur dhe se nuk ka thënë asnjë fjalë të tillë. Çiljeta shprehet se ajo nuk ka për të folur më për bindjet e saj politike, sepse është diçka personale dhe nuk dëshiron t’i ngatërrojë me profilin e saj publik.

“Nuk e di cilit i lindi në zemër të shpikë një intervistë të timen ku flas sërish për politikë… nuk kam folur dhe nuk kam për të folur më ndonjëherë për bindjet e mia. Ato janë personale dhe nuk kam në plan t’i ngatërroj me personazhin publik. Dua të sqaroj të gjithë ata që më ndjekin se në deklaratën e publikuar nuk ka asnjë të vërtetë. Nuk jam larguar aspak si e zhgënjyer!”, shkruan Çiljeta.