Transmetuar më 19-01-2021, 14:53

Shtohen gjithnjë e më shumë dyshimet për mënyrën se si Kina e menaxhoi situatën e koronavirusit gjatë shpërthimit të parë të infeksionit në qytetin e Wuhanit.

Një dokumentar që do të shfaqet në ‘ITV’, me titull ” Shpërthimi: Virusi që tronditi botën” pritet të hedhë dritë më shumë.

Në këtë dokumentar, mjekët kinezë, janë regjistruar fshehurazi në një video dhe kanë pranuar se ata e dinin se sa i rrezikshëm ishte koronavirusi,  kur filloi “shkatërrimin e Wuhanit”, por atyre iu kërkua të gënjejnë për këtë.

Specialistët e mjekësisë në metropolin kinez, thonë se ata e dinin për vdekjet nga virusi që në dhjetor 2019, por ishte mesi i janarit kur Kina informoi për herë të parë Organizatën Botërore të Shëndetësisë për një viktimë.

Ata gjithashtu kuptuan që virusi “po kalonte mes njerëzve”, por në spitale u kërkua “të mos thoshin të vërtetën”, ndërsa thirrjet për tërheqjen e festimeve të Vitit të Ri u refuzuan, sepse autoritetet donin të paraqisnin një shoqëri harmonike.

Kina informoi OBSH-në për herë të parë për 27 raste të sëmundjes "së panjohur" më 31 dhjetor 2019, pa raportuar vdekje deri në mes të janarit.

Deri në 21 janar, kur OBSH lëshoi ​​raportin e tij të parë mbi situatën, virusi kishte infektuar të paktën 278 njerëz në Kinë dhe ishte përhapur në tre vende të tjera.

Megjithatë, Pekini zyrtar ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për fshehje të informacionit mbi përhapjen në masë të koronavirusit. /e.a/noa.al/