Transmetuar më 19-01-2021, 08:40

Agjentët e FBI-së, po hetojnë një grua e cila u kap nga imazhet mes protestuesve që hynë në selinë e Kongresit Amerikan më 6 janar dhe që dyshohet se vodhi një kompjuter portativ nga zyra e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, demokrates Nancy Pelosi.

Sipas sinjalizimit të një të njohuri të saj, gruaja, banuese në Pensilvani, dyshohet se është përpjekur ta dërgonte kompjuterin personal tek një mik në Rusi, me synimin për t’ia shitur atë më vonë atë shërbimeve të inteligjencës në Moskë.

Një agjent i FBI-së i zbuloi detajet në një deklaratë të shkruar, të bërë nën betim, e cila u bë publike të dielën në mbrëmje, ku përshkruhet një çështje penale kundër Riley June Williams nga Pensilvania, e akuzuar për hyrje të paligjshme në ndërtesën e Kapitolit dhe orientimin e njerëzve drejt zyrës së Pelosit.

Vjedhja e pajisjeve elektronike nga zyrat e Kongresit ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm pas sulmit nga mbështetësit e presidentit Donald Trump.

Prokurori i Përkohshëm amerikan, Michael Sherwin, tha pas sulmit se disa nga vjedhjet mund të kishin rrezikuar potencialisht ato që ai i quajti “objekte me vlerë për sigurinë kombëtare”.

Në aktpadinë e paraqitur në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit, thuhet se FBI-ja kishte siguruar informacion nga një person që u tha se ishte një ish-partner intim i Williams.

Sipas personit që dha informacionin “transferimi i pajisjes kompjuterike në Rusi dështoi për arsye që nuk dihen dhe Williams ose e ka ende pajisjen kompjuterike ose e ka shkatërruar atë”.

Strukturat e zbatimit të ligjit po vazhdojnë ende hetimet mbi këtë çështje. /e.a/noa.al/

Foto: New York Post