Transmetuar më 16-01-2021, 19:42

Gjashtë ditë pasi nisi procesi i vaksinimit me një trumbetim mediatik të qeverisë, injektimi i tyre po ecën me ritme tejet të ngadalta.

Qeveria deklaroi në nisje se kishte aftësi për të vaksinuar rreth 2 mijë njerëz në ditë. Por faktet flasin ndryshe.

Në 10 janar mbërritën 975 doza vaksine. Pasi ka kaluar rreth një javë, vetëm 369 doza vaksine janë injektuar.

Pohimin e bëri edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila megjithatë pretendoi se "procesi i vaksinimit po vijon normalisht".

"Deri tani janë vaksinuar 369 personel shëndetësor i spitaleve COVID e epidemiologë dhe do të vijohet me një kalendar të kombinuar më të moshuarit e shtëpive të përkujdesit social dhe më pas vaksinimi për të moshuarit +75 vjeç dhe kështu me të gjitha grupet, siç janë përcaktuar në planin tonë të vaksinimit", nënvizoi Manasirliu.

Lind pyetja? Përse nuk po përdoren të 975 dozat e vaksinës që mund të bëheshin brenda një dite?

I gjithë procesi vaksinues që ka nisur është mbushur me mungesë transparence. Nuk dihet me siguri se çfarë vaksine është, nga vjen dhe sa flakonë kanë ardhur.

Nëse vaksina është Pfizer, flakonët e saj duhet të ndahen në 5 doza, por këtu po ndahet në 6 të tilla duke hedhur dyshime për efektivitetin e saj.

Procesi vaksinues ka dhe pikëpyetje të tjera, mes të cilave, edhe fakti që 10 mijë dozat e para që do të sillte Pfizer në mes të janarit, nuk mbërritën dhe ende nuk dihet kur do të vijnë. /noa.al/