Transmetuar më 13-01-2021, 13:29

Stafi i spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ka reaguar pas skandalit të bërë publik, ku një sanitare, e shtirur si një infermiere, i kishte zhvatur 8 milionë lekë vajzës së një pacienteje me Covid, e cila për fat të keq humbi jetën pas katër javësh e shtruar.

Përmes një reagimi, stafi i spitalit thotë se ndihet i lënduar nga veprimi korruptiv i ish-punonjëses së saj, e cila pas pushimit nga puna, është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Tiranës me akuzën e korrupsionit.

Sanitarja me iniciale T.A., i ka marrë çdo ditë rreth 5000-6000 lekë vajzës së pacientes, duke i premtuar se do të kujdesej për nënën e saj, por rezultoi e kundërta.

Ka qenë vajza e 55-vjeçares, E.S., e cila humbi betejën me COVID pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, e cila denoncoi faktin në media, se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.

Reagimi i spitalit

Gjithë personeli shëndetësor i spitalit "Shefqet Ndroqi", ndihet tejet i  lënduar dhe i befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i  sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në një emision investigativ.

Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Personeli shëndetësor i  spitalit, duke u distancuar nga ky veprim, do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna të sanitares, i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi'", – thuhet në reagimin e spitalit të njohur ndryshe si Sanatoriumi. /e.a/noa.al/