Transmetuar më 12-01-2021, 14:00

Vaksinat anti-Covid që nisën dje të injektohen tek një pjesë e personelit shëndetësor në spitale, përfshirë dhe kryeministrin Edi Rama, kanë ardhur nga Gjermania.

‘Euronews Albania’ disponon dokumentin zyrtar të zhdoganimit të vaksinës në aeroportin e Rinasit, dokumentacionin doganor të kalimit të vaksinës, si dhe dokumentin e Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë, që autorizon importimin e vaksinës së kompanive "Pfizer/BioNTech".

Pavarësisht zbulimit të rrugës së ndjekur për ardhjen e vaksinës anti-Covid në Shqipëri, nuk dihet ende nëse prejardhja përkon me shtetin "misterioz" që i dhuroi, të cilin kryeministri Rama nuk e zbuloi dje, duke arsyetuar se ishte kërkuar nga pala tjetër të mbetej sekret.

Por, ndryshe nga sa ishte thënë më herët, se vaksina kishte qëndruar disa ditë në doganë dhe ishte magazinuar në një vend të posaçëm në Institutin e Shëndetit Publik, ajo ka mbërritur në Rinas vetëm dje në mesditë dhe është transportuar direkt në ish-stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", aty ku nisi dhe fushata e injektimit të dozave të para.

Personi i parë që mori vaksinën anti-Covid në vend, ishte shefja e Infektivit, Najada Çomo. Pas saj, radhën e kishte kryeministri Edi Rama dhe pas tij u vaksinuan mjekët e njohur infeksionistë, Pëllumb Pipero dhe Tritan Kalo.

Pas mjekëve, infermierëve dhe punonjësve shëndetësorë, qeveria ka deklaruar se mes grupeve të identifikuara si prioritare për t’u vaksinuar, do të jenë të moshuarit mbi 75 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. /e.a/noa.al/