Transmetuar më 09-01-2021, 10:15

Moti i keq që ka përfshirë vendin, ka shkaktuar përmbytje në disa zona. Ndonëse reshjet e shiut përgjatë ditës së djeshme kanë qenë intensive, gjatë natës pati një lehtësim të situatës, ç’ka solli që niveli i ujit në lumin Vjosë të shënonte rënie.

Po ashtu bëhet e ditur se dhe lumi Drin është rikthyer në shtratin e tij. Ndërkohë që në Fushë-Krujë është rritur niveli i ujit në fshatin Murqin, ku mësohet se rreth 20 banesa janë të rrethuara nga uji.

Është përmirësuar situata e krijuar nga përmbytjet edhe në Lezhë, ku ka pasur një tërheqje të konsiderueshme të ujit dhe nga tokat bujqësore.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaroi për mediat se ka një rënie të ndjeshme të nivelit të ujerave, për shkak ndërprerjes së reshjeve të shiut. Çako tha se lumi Drin ka pësuar rënie të prurjeve, duke rënë me 40-50 cm.

Në këtë situatë ka ndikuar ndërprerja e reshjeve si dhe funksionimi i hidrovoreve me kapacitet të plotë gjatë natës.

Aktualisht, nga parashikimet meteorologjike të IGJEUM-it, thuhet se deri në 11 janar do të ketë reshje intensive shiu në territorin shqiptar. /e.a/noa.al/