Transmetuar më 04-01-2021, 17:55

Nga përplasja e dy automjeteve, që më pas shpërthyen në flakë, shtatë persona janë lënduar mesditën e sotme në fshatin Dollc të Klinës.

Zëdhënësi i policisë së rajonit të Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar se katër nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë marrë lëndime trupore. Katër prej tyre kanë lëndime më të rënda dhe janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës. Tre të tjerët me lëndime më të lehta janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkohë, Gashi ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur sot në orën 12:19.

Policia është njoftuar për një aksident në fshatin Dollc.

Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kombi dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit, automjetet janë përfshirë nga zjarri./a.m/NOA.al