Transmetuar më 29-12-2020, 13:42

Ndahet para kohe nga jeta Florian Shkreta, i cili ishte pjesë e projektit të zbulimit të talenteve dhe zhvillimit të futbollit në vendin tonë.

Ai punonte prej disa vitesh me futbollin e fëmijëve në projektin Grow për Zyrën Rajonale të FSHF-së, në Tiranë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, bëri publik lajmin e trishtë, duke thënë se “është e vështirë të gjesh fjalët e duhura në këto çaste. Largimi i tij i parakohshëm nga jeta na ka trishtuar shumë”.

Reagimi i Presidentit të FSHF-së:  

Shumë i pikëlluar për lajmin e ndarjes nga jeta të Florian Shkretës. Flori ishte një nga bashkëpunëtorët më të vyer të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe punonte prej disa vitesh me futbollin e fëmijëve në projektin Grow për Zyrën Rajonale të FSHF në Tiranë.

Një njeri i përkushtuar, serioz në punë e që ka dhënë një kontribut të çmuar për fëmijët, të cilët ai i donte aq shumë. Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura në këto çaste. Largimi i tij i parakohshëm nga jeta na ka trishtuar shumë.

Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Shkreta dhe të afërmve të tij. Familja jonë e futbollit do ta kujtojë gjithmonë me respekt e nderim Florianin.

Qoftë i paharruar kujtimi yt!/a.m/NOA.al