Transmetuar më 27-12-2020, 17:12

Përshkallëzohen tensionet diplomatike mes Turqisë dhe Greqisë. Sipas asaj që citojnë mediat greke, ministri turk i Mbrojtjes, Ulusi Akar është shprehur se, pavarësisht nga gjendja e saj e dobët ekonomike, Greqia është angazhuar në një garë armatimesh.

Por ai thekson se numri i avionëve dhe anijeve që ka në plan të marrë fqinji i tyre, nuk është i mjaftueshëm për t’u përballur me Turqinë.

“Pavarësisht nga problemet, edhe nuk kanë për të ngrënë, pirë, veshur, pavarësisht nga ulja e pagave dhe kostoja e jetesës së popullit grek, ata janë kënaqur në një mënyrë të furishme për armatimet. Blini sa të doni anije, aeroplanë dhe nëndetëse, ato nuk mjaftojnë, – u shpreh Akar. – Nuk janë të mjaftueshme. Çfarëdo që të ndodhë me popullin e dashur grek, do të ndodhë. Fqinjët tanë grekë po ndjekin një politikë të gabuar që do t’i shtojë edhe më shumë peshë ekonomisë së saj tashmë të keqe, do të jetë në dëm të prosperitetit dhe do të përkeqësojë jetën e njerëzve të saj”, shtoi ai.

Ministri turk pohoi se Ankaraja zyrtare po përpiqet të gjejë zgjidhje politike brenda kornizës së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe mbi bazën e ligjit ndërkombëtar në Egje, Mesdheun Lindor dhe Qipro.

Akar theksoi se Turqia është e gatshme për bisedime me Greqinë, përsa i përket kontakteve eksploruese, bisedimeve ushtarake mbi masat e ndërtimit të besimit dhe brenda NATO-s për të mos përshkallëzuar tensionet. "Synimet tona mbi këtë çështje janë jashtëzakonisht të mira".

Turqia ka kohë që synon të nisë shpimet në det në kërkim të gazit natyror pranë ishullit grek Kastelorizo, por qeveria greke ka bërë të qartë se përpjekje të tilla nuk do të tolerohen, sepse ato do të zhvillohen në territorin grek.

Sipas një raporti, një konflikt i armatosur midis Turqisë dhe Greqisë arriti të shmangej vetëm pak muaj më parë përmes ndërmjetësimit të kancelares gjermane Angela Merkel, ndërkohë që forcat e armatosura të të dy vendeve vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie. /e.a/noa.al/