Transmetuar më 27-12-2020, 15:41

2021 premton të jetë një vit i rimëkëmbjes solide për ekonomitë kryesore të botës. Pas një viti të zi 2020 për ekonominë, i mbytur nga emergjenca shëndetësore, vitin e ardhshëm janë të gjitha kushtet për të lejuar një rikthim "tonik".

Kushti i vetëm është që vaksina kundër Covid-19 të shpërndahet me shpejtësi dhe që ajo të jetë efektive, madje edhe kundër varianteve të reja të virusit. Disa ekonomistë të kontaktuar nga "Adnkronos", shprehin optimizëm dhe nëse vaksina luan pjesën e saj, thonë ata, nuk do të ketë pengesa të mëdha për një rimëkëmbje të fortë gjatë 2021.

Grupi i menaxhimit të kursimeve "Schroders", pas një rënie të PBB-së globale prej 4% në vitin 2020, pret rritje prej 5.2% në 2021 dhe 4% në 2022.

Për Shtetet e Bashkuara, pas një rënie prej 3.6 % e PBB-së këtë vit, vlerësohet një rritje prej 3.8% vitin e ardhshëm dhe 3.5% në vitin pasardhës.

Ndërsa për Eurozonën, pas rënies prej 7.1% në vitin 2020, PBB është rritur me 5% në 2021 dhe me 4.1% në 2022.

"Me lajmet për vaksinën më në fund shohim një dritë në fund të tunelit", shpjegon Irene Lauro, ekonomiste e "Schroders".

"Ne kemi rishikuar parashikimet tona lart, veçanërisht për ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ato më të prekurat nga pandemia, pikërisht sepse ato bazohen më shumë në shërbime, sektori që ka pësuar tkurrjen më të fortë. Dhe vaksina, nëse është efektive dhe shpërndahet shpejt, do të hapë rrugën për një rimëkëmbje të fortë në shërbimet dhe të gjithë ekonominë.

Vaksinimi masiv do të marrë patjetër kohë dhe më shumë se një rikthim të ekonomisë në formë "V-je", do të jetë me shumë mundësi një rikuperim më i ngadaltë në formë "U"-je.

"Ne presim që kjo rritje e fortë të ndodhë vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2021. Vaksina do të duhet kohë të shpërndahet në të gjithë popullatën në mënyrë që të kapërcejmë kufizimet ”, vijon Lauro.

Rimëkëmbja ekonomike mund të lehtësohet pikërisht nga një shpërndarje e shpejtë dhe e përhapur e vaksinës. Dhe, sipas ekonomistëve të kompanisë amerikane "T.Rowe Price", progresi i pabarabartë mund të prodhojë periudha të paqëndrueshmërisë së tregut.

"Tremujori i parë i vitit 2021 mund të shohë një rënie të aktivitetit ekonomik", paralajmëron David Giroux, zyrtari kryesor i investimeve i Kapitalit dhe Multi Aseteve në "T.Rowe Price".

"Megjithatë, duke supozuar se vaksinat e reja mund të vendosen në një shkallë të përshpejtuar, veçanërisht për popullatat me rrezik më të lartë, kushtet ekonomike mund të përmirësohen me shpejtësi në tremujorin e dytë".

Në këtë rast, ai shpjegon, se "gjysma e dytë e vitit 2021 mund të duket më shumë si viti 2019, sesa gjysma e parë e vitit 2020".

Rimëkëmbja ekonomike do të mbështetet kryesisht nga ekonomitë amerikane dhe evropiane. Ndërsa Kina, i vetmi vend që ka regjistruar një normë pozitive rritjeje në 2020, do ta ruajë atë për dy vitet e ardhshme. Një trend i mundshëm sidomos për mbështetjen e bankave qendrore dhe qeverive. "Ne presim që të paktën deri në fund të vitit 2022, politikat monetare të mbeten fleksibël dhe të mbështesin ekonomitë", thekson Lauro e "Schroders".

Rezerva Federale dhe BQE, sipas ekonomistëve dhe investitorëve, duhet të mbajnë normat e interesit të pandryshuara. Siç është siguruar edhe nga takimi i fundit i Komitetit Monetar të Fed, i cili konfirmoi se normat do të qëndrojnë të qëndrueshme derisa të ketë një rritje të qëndrueshme të inflacionit mbi 2%.

Por një rritje e fortë e çmimeve nuk pritet gjatë gjithë vitit 2021. Në Shtetet e Bashkuara, sipas parashikimeve të "Schroders", norma e inflacionit do të qëndrojë në 1.6% vitin e ardhshëm dhe 1.9% në 2022, ndërsa në Eurozonë do të rritet në 0.8% në 2021 dhe në 1.4% vitin pasardhës.

Ekonomistët gjithashtu presin që lehtësimi sasior i Fed-it, të mbetet në vend të paktën derisa vaksina të vendoset plotësisht. "Në maksimum do të ketë një reduktim në blerjen e letrave me vlerë, por, në rastin konkret, në 2022", – shpjegon Lauro. Në dy vitet e ardhshme, likuiditeti në sistem do të mbetet i mjaftueshëm dhe do të mbështesë rritjen ekonomike.

Por qeveritë gjithashtu kanë bërë pjesën e tyre për të dalë nga kriza. Me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, një stimul prej 900 miliardë dollarësh është në rrugë e sipër. Një nxitje për të cilën Shtetet e Bashkuara kanë nevojë.

Por Bashkimi Evropian gjithashtu ndërhyri masivisht. "Ne presim që Fondi i Rimëkëmbjes të shpërndahet në gjysmën e dytë të vitit 2021, – vazhdon ekonomistja e "Schroders", – dhe kjo do të kontribuojë në një rimëkëmbje të fortë të aktivitetit ekonomik në të gjithë zonën e euros. Në veçanti, nga 2022, ne presim një shpenzim të madh në drejtim të investimeve".

Megjithatë, ka disa faktorë rreziku të aftë për të minuar optimizmin e ekonomistëve për vitin 2021. Këto përfshijnë përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit, për ta bërë vaksinën jo-efektive dhe kthimin e mundshëm të tensioneve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Sidoqoftë, më shqetësuese është një ‘zemërim i butë’, një ulje e tepruar e blerjeve të letrave me vlerë nga bankat qendrore.

Një element që do të çonte në një rritje të yield-eve të Thesarit të SHBA dhe një goditje të fortë në ndjenjën e investitorëve ndërkombëtarë.

Megjithatë, kjo është "e pamundur", sipas Lauros, duke pasur parasysh perspektivat për inflacionin dhe borxhin e të gjitha ekonomive të zhvilluara. "Në këtë skenar, bankat qendrore do të duhet të mbajnë normat e interesit në mënyrë të pashmangshme të ulëta për të shmangur rrezikun e një krize tjetër".

Niveli i borxhit publik, i cili ka shpërthyer në të gjitha ekonomitë kryesore, do të bëhet një faktor rreziku në vitet e ardhshme, kur normat e interesit fillojnë të rriten, nëse nuk është një pengesë për rimëkëmbjen ekonomike.

"Në atë pikë, – parashikon Lauro, – qëndrueshmëria e borxheve do të fillojë të vihet në dyshim nga investitorët".

Shpresa është që bankat qendrore të jenë më të kujdesshme se në të kaluarën në rritjen e normave të interesit, pikërisht për shkak të ndryshimit strukturor që ka ndodhur në financat publike të të gjitha vendeve. /e.a/noa.al/