Transmetuar më 24-12-2020, 10:24

Trajneri i Napolit, Xhenaro Gatuzo, prej dy javësh është shfaqur në fushë me një sy të fashuar, pasi vuan nga Miastenia Okulare, ç’rregullim që dobëson qepallat e syrit.

Në konferencën për shtyp, ai ka folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore, teksa ka dhënë edhe një mesazh për të rinjtë.

“Sot po dal para mediave pa fashë në sy, sepse dua t’i them diçka të gjithë atyre fëmijëve që nuk u duket vetja i bukur: jeta është e bukur dhe duhet ta përballosh pa u fshehur. Kam lexuar që do të vdes brenda disa muajve. Rrini të qetë, nuk do të vdes. Jam gjallë dhe do të mbijetoj. Vuaj nga miastenia prej 10 vitesh, është hera e tretë që më godet. Kësaj radhe ishte e goditje e fortë, por do të kalojë dhe syri do të shërohet. Shoh dyshe, e kam të vështirë të qëndroj në këmbë, vetëm një i çmendur si unë mund të vazhdojë punën, por në jetë ka gjëra edhe më të këqija. Unë po bëj punën që më pëlqen dhe nëse do të mund të zgjidhja se si vdes, dua të vdes në fushë”, – tha trajneri i Napolit. /e.a/noa.al/